Detaje mbi përleshjen mes një serbi dhe shqiptari në Fushë Kosovë

Në Bresje të Fushë Kosovës janë përleshur një shqiptar e një serb, për shkak të një parkingu.

Dalin që të luajnë në këtë lagje çdo ditë.

Këta fëmijë të nacionalitetit serb, asnjëherë nuk kanë telashe me fqinjët e tyre që kanë kombësi shqiptare.

Mirëpo ndryshe nga ta, babai i tyre një ditë më parë hasi në një problem me një të rritur shqiptar.

 “Për shkak të një mospajtimi për një parking të veturës, këtu ne rrugën Feriz Krasniqi në  Fushë Kosovë ndodhi një përleshje fizike mes një shqiptari e një serbi”

T7 për të kuptuar se si ndodhi e tërë ngjarja,  ka qëndruar tek shtëpia e shqiptarit i cili u përfshi në konflikt e që jeton në këtë lagje me qera.

Por, i njëjti nuk ndodhej në shtëpi e madje kontakti me të dhe familjen e tij ishte i pamundur.

Bile edhe shtëpia ku ai jeton bashkë me gruan e fëmijët, në Bresje të Fushë Kosovës, ishte e kyçur me dry.

Ndërkohë i gatshëm që të jap versionin e tij lidhur me përleshjen, ishte Mihajlo Galic, babai i serbit që u përfshi në konflikt.

 “Ishte ditëlindja e nipit, erdhën disa mysafirë e i parkuan makinat. Pasi që nuk kishte vend për të gjitha makinat në oborr, një mik i djalit e parkoi veturën në rrugë. Pas një kohe djali doli që ta largoi veturën, e aty u godit direkt nga fqinji në fjalë. Madje ai kishte edhe një shkop në dorë dhe deshi që ta godas veturën me të. Aty ka ndërhyrë shpejt një fqinj tjetër dhe e ndaloi. Nuk e di kush e ka lajmëru policinë, vetëm e di se kane ardh shpejt” thotë Mihajlo Galic, babai i Serbit që u përfshi në përleshje

Ndërkohë rastin për T7, e konfirmoi edhe Policia e Kosovës.

 “Ka pasur një mosmarrëveshje për parking. Dy palët në fjalë janë fqinj ndërmjet vete. Njësitet e Policisë kanë arritur në vendin e ngjarjes menjëherë pas thirrjes dhe po merren me rastin. Për më shumë do ju informojmë me kohë. Por të dhënat e para tregojnë se ka pasur një mosmarrëveshje për parking” thonë nga Policia e Kosovës.

Ndryshe, banorët serb të kësaj lagje kanë thënë se  kjo ishte hera e parë që ata u bënë pjesë e një konflikti me shqiptarët që jetojnë këtu.