Destinacionet e mundshme të Messit sipas Rivaldos

Superylli i Barcelonës, Lionel Messi edhe një herë është lidhur me një largim nga Camp Nou. Një ish-lojtar i famshëm i Barcelonës, Rivaldo, është i bindur se opsionet për Messin do të jenë të shumta.

Sipas Rivaldos, Messi mund të joshet me një ribashkim me Pep Guardiolan te Manchester City.

Radio stacioni spanjoll, Cadena Ser, ka raportuar se Messi do të largohet nga Barça në fund të kontratës aktuale, verën e ardhshme.

Sipas “goal.com”, largimi i Messit nga Barcelona është pak i mundur, por nëse ai vendos të bëjë këtë, shumë klube do të luftonin për shërbimet e tij.

Man City është lidhur në të kaluarën me një transferim të tij. Sipas Rivaldos, Messi lehtë mund të vendos për Premier League.

“Nëse ai e konsideron largimin nga klubi, atëherë diçka duhet të mos jetë në rregull në zhveshtoren e Barcelonës. Ndoshta ai është lodhur me problemet konstante që e kanë rrethuar klubin në muajt e fundit”, ka thënë Rivaldo për Betfair.

“Kur kontrata e Messit përfundon, ai do të jetë 34-vjeçar, por me klasin që ka, ai lehtë mund të luajë në Premier League. Do të jetë trishtuese të shohim atë duke u larguar nga Barcelona, nëse kontrata e tij përfundon eventualisht, por unë ende shpresoj se ai do të qëndrojë. Me gjithë lidhjen me klubin, ai e ka të drejtën e largimit nëse dëshiron dhe ribashkimi me Pep Guardiolën do të jetë tundues për të. Ata kanë formuar një partneritet të shkëlqyeshëm te Barça”, ka theksuar Rivaldo.

Një tjetër destinacion potencial për Messin është Juventusi. Në Torino ai mund të plotësojë ëndrrat më të pazakonta të një numri të madh të tifozëve të futbollit duke luajtur përkrah Cristiano Ronaldos.

Apo ndoshta Messi mund të zëvendësojë portugezin, që në verën e vitit 2021 do të jetë 36-vjeçar dhe mund të kërkojë për sfidë të re.

“Me gjithë këto spekulime, besoj se disa agjentë tashmë janë duke ëndërruar për dyshen Messi – Ronaldo te Juventusi dhe për atë se sa gjë e madhe do të ishte kjo”, ka thën Rivaldo.

“Nëse kjo ndodhë, do të ishte një ‘bum’ botëror. Juventusi shpejtë do të rikuperonte secilin investim për argjentinasin, falë rritjes që do të kishin në marketing. Do të ishte historike t’i shohim ata duke luajtur së bashku dhe jam i sigurt se shumë sponsorë të Juventusit do të donin të ndihmonin financiarisht. Kështu që është mundësi edhe për Messin. Nëse ka dyshime për largim, atëherë natyrisht se çdo klub do të mendoj se si mund të firmos me të. Do të ishte gjë e madhe që dy lojtarët më të mirë në botë në dhjetë vjetët e fundit të luanin së bashku”.