Dështoi Kameruni, Egjipti do të organizojë Kupën e Kombeve të Afrikës

Do të jetë Egjipti, vendi që do të organizojë turneun më të rëndësishëm futbollistik në kontinentin afrikan këtë vit.

Kupa e Kombeve 2019, e cila është programuar të zhvillohet nga 15 qershori deri më 13 korrik, këtë verë, nuk do të organizohet në Kamerun, siç ishte vendosur fillimisht, por do të spostohet në anën tjetër të kontinentit.

Konfederata afrikane e Futbollit vendosi t’ia japë Egjiptit të drejtën për turneun emocionues, pas vonesave të Kamerunit në ndërtimin e impianteve dhe faciliteteve për fazën finale, por mbi të gjitha për shqetësimet në rritje për nivelin e dobët të sigurisë.

Rrëmbimet potenciale dhe sulmet terroriste janë një nga motivet që shtynë Kupën e Kombeve drejt Kajros.

Kjo do të jetë hera e pestë, që evenimenti më i pritur futbollistik i kontinenti afrikan organizohet në Egjipt. Ky vend, që ka vuajtur ndoshta më shumë sesa të tjerët pasojat e revoltës me “Pranverën arabe”, mund të krenohet me stadiume të mira dhe me kapacitet të madh, si “Kairo International Stadium” prej 72 mijë vendesh, dhe “Borg El Arab Stadium”, me 87 mijë vende.

Nuk mungojnë gjithsesi polemikat për kërcënimet terroriste, edhe në këtë vend, e temperaturat e larta që shoqërojnë Egjiptin në thuajse çdo stinë.