Dëshmitarja

Dëshmitarja thotë se i kishte parë dy persona duke e rrahur të dëmtuarin por jo edhe të akuzuari për krime lufte në Istog

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për krime lufte ndaj Caslav Jolic, Sanja Markoviq gjatë dhënies së dëshmisë së saj deklaroi se e kishte parë Dulle Pejqinoviq, Zoran Joliq duke e rrahur të dëmtuarin Zef Malsinë, por se aty nuk e kishte parë edhe të akuzuarin Joliq.

“Dulle Pejqinoviq dhe Zoran Joliq kanë filluar ta rrahin Zef Malesijen”, tha dëshmitarja Markoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas saj, ngjarje kishte ndodhur në maj të vitit 1998 dhe se ajo këtë ngjarje e kishte parë sa kishte qenë duke ruajtur lopët.

Dëshmitarja Markoviq tha se të akuzuarin Joliq e kishte njohur si fqinj dhe si shitës i pemëve.

“Po e kom njohur edhe ma herët nga fqinjësia, ai ka qenë shitës i pemëve dhe perimeve në treg”, tha dëshmitarja Markoviq.

Tutje ajo tha se personat Dulle Pejqinoviq, Zoran Joliq kishin punuar në polici, duke shtuar se kur kishte dëgjuar se i akuzuari Joliq ishte arrestuar lidhur me këtë incident i kishte ardhur keq dhe ishte paraqitur që të vinte të dëshmonte pasi që sipas saj i akuzuari Joliq ishte i pafajshëm.

Po ashtu dëshmitarja Markoviq tha se sa ishte në dijeni i akuzuari Joliq kishte filluar të punonte në polici nga fundi i vitit 1998.

Në fillim të seancës trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Musa Konxheli refuzoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Joliq, avokatit Miodrag Brklajq për dëgjimin e dëshmitarëve Zoran Jolic dhe Vuqko Pejqinoviq, me arsyetim se mungonte komunikimi apo bashkëpunimi penal ndërkombëtar mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me dëshmitarin Momir Pantiq trupi gjykues lejoi dëgjimin e tij pasi që i njëjti edhe pse ishte i dyshuar për krime lufte në një rast tjetër ai nuk ishte përmendur në këtë rast ku i dëmtuar është Zef Malesija.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 18 nëntor 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Caslav Jolic me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.