Dëshmitari i mbrojtur: Në Siri kemi bërë ushtrime ushtarake

Dëshmitari i mbrojtur, A.D, ka thënë se në Siri, ai kishte shkuar për çështje humanitare, por që me të mbërritur atje, sipas tij, gjërat nuk kishin shkuar siç i kishte menduar.

Një deklarim të tillë, ky dëshmitar e ka bërë në vazhdimin e rigjykimit ndaj Leunis Frangut, i cili akuzohet për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Për dallim prej herëve të tjera, që ky proces gjyqësor është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën seanca është mbajtur në Gjykatën e Gjilanit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një gjë e tillë, ka ndodhur për shkak se Themelorja në Prishtinë nuk ka kushte teknike për dëgjimin e dëshmitarit të mbrojtur, i cili është dëgjuar përmes mjeteve teknike, me ndryshim të zërit të tij.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special, Atdhe Dema, mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Armend Shkoza, si dhe trupit gjykues, dëshmitari A.D, identiteti i të cilit është i njohur për gjykatën, ka thënë se nuk i kujtohet deklarata e tij e dhënë në prokurori, më 12 janar 2016.

Ai ka thënë se, në Siri kishte qëndruar tre muaj, kurse 21 ditë i kishte kaluar në një kamp, ku sipas tij, kishin kryer ushtrime ushtarake.

Ai ka deklaruar se të akuzuarin Frangu nuk e kishte parë asnjëherë në Siri, por që sipas tij, në fillim kur ai kishte shkuar atje, kishte njohur disa persona të tjerë nga Kosova.

“Për ndihma kam shku me punu, po dul tjetër sen. Në Kosovë jam kthy vet. Flamuri i Sirisë nuk më kujtohet, por që ka pas ngjyrë jeshil, bardhë, dhe i ka pas shkronjat FSA. Këtë e ka përkrahë edhe shteti i Kosovës, dhe kjo edhe sot e kësaj dite nuk është organizatë terroriste, me sa unë e kam parë në lajme dhe TV, se nuk është që më intereson shumë për këtë çështje”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se, kohën kur ishte në Siri, nuk ekzistonin organizatat terroriste “ISIS”, “Al-Nusra”, e të tjera, por që kur është kthyer në Kosovë, ka dëgjuar për to, pasi ato ishin formuar si grupe.

Tutje, ai ka thënë se pseudonimin “Ubejda”, e kanë pasur pesë apo gjashtë qytetarë të Kosovës, dhe se kuptimin e këtij emri nuk e din, dhe se pasi kanë hyrë në Siri, ishte gjendje lufte, dhe nuk kanë mundur të ktheheshin dhe se sipas tij, patjetër është dashur të vishen me uniformë ushtarake.

“Veç ka ardhë na ka marrë njo i Shqipërisë dhe na kanë çu atje. Gjatë atyre 21 ditëve aktiviteti i jonë ishte ushtrimi, amo nuk kam marrë pjesë në zonat e luftës. Unë isha largu meniherë, por s’kisha mundësi me u largu, se e pashë që nuk është në rregull ajo, se unë nuk shkova me luftu, për tjetër sen shkova. Një shqiptar më ka marrë dhe me ka qit knej në Turqi, tani kam ardhë në Prishtinë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Kryetari i trupit gjykues, seancën tjetër për këtë rast e ka caktuar të mbahet më 19 shkurt 2020, në ora 14:00, ku gjykata do të bëjë përpjekje edhe njëherë ta sigurojë në gjykim dëshmitarin, Blerim Syla.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të parë, më 27 shkurt 2016, të akuzuarin Frangu, e kishte liruar nga akuza për terrorizëm, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e PSRK-së, duke e kthyer rastin në rigjykim, pasi kishte konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk kishte dhënë fakte vendimtare kur kishte marrë aktgjykim lirues.

Apeli, kishte konstatuar se aktgjykimi ishte në kundërshtim me vetveten pasi sipas saj, shkalla e parë nuk e kishte kontestuese se i akuzuari ka qenë në Siri, por lirimin e të akuzuarit e kishte bazuar në atë se nuk dihej se cilës organizatë terroriste i ka takuar Frangu.

Mirëpo, edhe pas kthimit të lëndës në rigjykim, gjykata e shkallës së parë, përsëri me 8 janar 2019, e kishte liruar Frangun nga akuza për terrorizëm.

Gjykatësi Beqir Kalludra, në arsyetimin e shkurtër të këtij aktgjykimi, kishte thënë se nuk ishte kontestuese që i akuzuari Frangu kishte shkuar në Siri, por sipas tij, nuk ishte vërtetuar elementi qenësor i veprës që i akuzuari kishte qenë pjesë e ndonjë grupi terrorist.

Sipas tij, prokuroria nuk kishte sjellë prova të mjaftueshme që i akuzuari të shpallet fajtor dhe se në kohën kur pretendohet se i akuzuari kishte kryer veprën penale nuk kishte qenë në fuqi ligji i cili tashmë sanksion edhe shkuarjen në Siri.

Pasi Frangu për herë të dytë ishte liruar nga akuza, PSRK përsëri kishte parashtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Këto pretendime të PSRK-së i kishte marrë për bazë Gjykata e Apelit, e cila më 25 nëntor 2019, e kishte kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë në rigjykim duhet të eliminojë të gjitha paqartësitë në lidhje me atë se cila ishte arsyeja e udhëtimit të të akuzuarit në Siri, nëse ai nuk i ishte bashkëngjitur ndonjë grupi terrorist, sepse sipas Apelit, ai 15-17 ditë kishte ushtruar dhe ishte armatosur.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), aktakuzën ndaj Frangut e kishte ngritur më 25 shkurt 2016, me pretendimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 paragrafi 2 i KPK-së.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurori Faik Halili, Frangu pas marrëveshjes paraprake me Blerim Sylën, më 3 nëntor 2014 përmes aeroportit të Prishtinës kishin shkuar në Turqi, ku nga Stambolli thuhet se kishin shkuar së pari në qytetin turk Hatay, e nga atje në një qytet tjetër të Turqisë afër kufirit të Sirisë, me emrin Rehyanli.

Ata pretendohet se kishin kaluar kufirin nga qyteti i përmendur dhe kishin hyrë në Siri ku iu ishin bashkëngjit organizatës terroriste “ISIS”, ndërsa pas qëndrimit një kohë të gjatë në Siri përmes kufirit në Han të Elezit ishin kthyer në Kosovë.