Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps ka hedhur poshtë pretendimet se ka rivalitet brenda grupit mes dy sulmuesve Kylian Mbappe dhe Antoine Griezmann.
Mbappe dhe Griezmann i ndihmuan Francës të shpallet kampion i Botës në Rusi verën e kaluar duke shënuar secili nga 4 gola , ndërsa ylli i Paris Saint Germain u zgjodh edhe lojtari më i mirë i ri i kompeticionit.
Deschamps ka siguruar se nuk ka asnjë rivalitet mes tyre teksa ka theksuar rëndësinë që kanë për kombëtaren e Francës.
“Nuk ka pasur asnjë konfrontim mes tyre apo dëshirë për të bërë më shumë njëri se tjetri. Griezmann dhe Mbappe kanë qenë të rëndësishëm për kombëtaren në kohë të ndryshme por ndonjëherë edhe në të njejtën ndeshje. Ata janë vendimtarë me golat që shënojnë, nuk ka problem mes tyre”, tregoi Deschamps.
Griezmann dhe Mbappe janë kandidatë për ta fituar Topin e Artë këtë edicion, ndërsa Deschamps kërkon nga Mbappe të vazhdojë me formën e mirë duke e rritur efikasitetin para portës.
Franca sonte përballet me Holandën në udhëtim për ndeshjen e fundit të “gjelave” në Nations League, gjersa kryesojnë grupin me 7 pikë, 4 më shumë se “tulipanët” të cilët e kanë edhe një ndeshje pa zhvilluar ndaj Gjermanisë.







