Sipas përzgjedhësit të Francës, Didier Deschamps, sulmuesi i Manchester United, Anthony Martial është duke luajtur në nivelin që ai duhet ta arrijë në vazhdimësi.

Martial ka rigjetur formën e tij më të mirë teksa ka shënuar 5 gola në 6 ndeshjet e fundit me “Djajtë e Kuq”, formë kjo që i ndikoi Deschampsit ta ftojë në kombëtare.

“Anthony ka qenë me kombëtaren për një kohë të gjatë. I ka provuar kohët e mira dhe të vështira, situatë kjo që vlen edhe për skuadrën e tij. Kjo çfarë po bën aktualisht te Manchester United i afrohet aftësive që ai është në gjendje t’i bëjë rregullisht. E kam fjalën për përkushtimin dhe efikasitetin para portës. Martial është i ri dhe shpresoj se ai po piqet edhe më shumë. Vërehet nga zgjedhjet e Mourinhos se sa i rëndësishëm është bërë për Unitedin”, u shpreh Deschamps.

Ish trajneri i Juventusit pati lëvdata edhe për sulmuesin e Paris Saint Germain, Kylian Mbappe, i cili sipas Deschamps mund të bëjë gjëra të jashtëzakonshme.

Mbappe është kandidat për ta fituar Topin e Artë, ndërsa e ka filluar këtë sezon në mënyrë të shkëlqyer duke shënuar 13 gola e duke asistuar 6 herë në 12 paraqitje në të gjitha kompeticionet.

“Shikoni statistikat e tij, ai është efikas, shikoni golat e shënuar me ne dhe PSG-në. Mbappe është lideri i sulmit te kombëtarja dhe skuadra e tij. Sigurisht se ai mund të përmirësohet dhe kjo është e mrekullueshme”, përfundoi Deschamps.

Kampionët e Botës takohen me Holandën me 16 nëntor në ndeshjen e vlefshme për Nations League, kurse pas 4 ditëve përballen me Uruguain në një ndeshje miqësore, derisa Deschamps e ka publikuar listën me futbollistët e ftuar për këto dy sfida.