Deschamps i tërheq vërejtjen Dembeles

Ousmane Dembele mbeti jashtë skuadrës së Barcelonës në humbjen e fundjavës së kaluar 3-4 ndaj Real Betisit për shkak të mënyrës se si i kishte komunikuar klubit shqetësimin që kishte ndjerë në stërvitje, dhe ky veprim i francezit ka ngjallur reagimin e Didier Deschampsit.

Pavarësisht problemeve diciplinore që Dembele ka pasur në të kaluarën, ai është ftuar nga përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps për ndeshjet me Holandën në Nations League dhe atë miqësore me Uruguain.

Por në një konferencë për shtyp Deschamps ka kërkuar ndryshim të qasjes nga ish futbollisti i Borussia Dortmundit.

“Nuk kam folur me stafin e Barcelonës sepse nuk dua të ndërhyjë në punë të brendshme të klubit. Është përgjegjësi e tyre se si sillen me lojtarët e tyre brenda dhe jashtë klubit. Ousmane ka qenë me ne për një kohë të gjatë, është trik i tij i zakonshëm të vonohet për stërvitje, dhe po ta pyesësh thotë se nuk jam i vetmi. Duhet t’i kushtojë vëmendje këtyre gjërave te Barcelona, kombëtarja apo diku tjetër, janë gjëra që e bëjnë profesionist. Këto situata nuk duhet të përsëriten më, sa më shpejt që e kupton aq më mirë për të gjithë”, tha Deschamps.