Futbollisti i Arsenalit

Deschamps e pranon se mund të bënte më shumë në raport me Koscilenyn

Laurent Koscielny akuzoi dje përzegjedhësin e Francës, Didier Deschamps për trajtim jo të mirë teksa njoftoi pensionimin nga kombëtarja e “gjelave”.

Sidoqoftë Deschamps edhe pse i befasuar nga ky reagim, ka vetëm fjalë të mira për mbrojtësin e Arsenalit, ndërsa e ka pranuar se mund të kishte bërë më shumë lidhur me situatën e Koscielnyt.

“Unë isha i befasuar ashtu si i gjithë stafi. Po flasim për një futbollist që ka qenë i goditur në jetën profesionale. Kupa e Botës ka qenë një synim i tij para përfundimit të karrierës, por ai nuk arriti të ishte aty. Ky është një dëshpërim i madh që lë shumë gjëra në gjysmë. Nga ana ime unë e kam telefonuar lidhur me lëndimin e tij dhe e kam ftuar të jetë me skuadrën në Rusi nëse dëshironte. Dje e kam pasur një bisedë të shkurtër me të por në muajin e fundit nuk kam patur shumë kontakte, dhe është e vërtetë se kam mundur të bëjë më mirë”, u shpreh Deschamps.

Sonte Franca pret Gjermaninë në ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve derisa Deschamps tutje tha se mund ta provojë Mbappen në rolin e sulmuesit qendror duke shtuar se kjo zgjedhje i ka avantazhet e saja sepse futbollisti i PSG-së në këtë rol jep kontribut defensiv dhe ka liri më të madhe në krahë.