Derisa në botë po rriten rastet me Covid-19, në Kosovë po ndodh e kundërta, Lul Raka tregon arsyjen…

Ditëve të fundit është raportuar për rritje të rasteve me Covid-19 në shumicën e vendeve nëpër botë.

Po për dallim prej vendeve evropiane, nga mbi 200 raste në ditë sa numëroheshin para disa javëve në Kosovë, gjendja ka ndryshuar për të mirë, kur vetëm gjatë ditës së djeshme u raportuan vetëm 34 raste pozitive.

E mikrobiologu kosovar, Lul Raka ka shpjeguar edhe arsyen se pse po ndodh rënia e numëri të rasteve pozitive në vend.

Sipas tij, faktorët kyç që ky numër të bie janë sjellja individuale dhe zbatimi i masave nga ana e popullatës.

 “E kemi pa që muajin e fundit kjo zbatueshmëri ka shënuar rritje të ndjeshme. Kemi parë njerëz me maska rrugëve, distancë dhe higjienë të duarve e që është një prej tre faktorëve parandalues, ka thënë Raka për Rel.

Tutje, sipas tij faktor tjetër që ndikon drejtpërdrejt në këtë strukturë të përgjithshme të epidemiologjisë, është edhe inspektimi nga autoritetet shtetërore.

“Në momentin kur njëtrajtësisht edhe popullata i zbaton masat, por ka edhe inspektim strikt nga inspektorati, nivel komunal dhe qendror si dhe nga policia, kemi parë që numri i të infektuarve ka rënë dhe situata epidemiologjike është shumë e favorshme” thotë Raka.

Kjo gjendje sipas mikrobiologut është e mirëseardhur për sistemin shëndetësor, pasi po i jep mundësi që të përgaditen për një rritje eventuale të rasteve.

“Gjithashtu kjo ndikon që kapacitetet shëndetësore të kenë kohë të mjaftueshme të përgatiten për faktorët e rritjes së numrit të rasteve siç janë sigurimi i stafit të mjaftueshëm, e që përmes investimeve të Bankës Botërore do të ketë numër të rinj të stafit që tashmë janë rekrutuar dhe do të fillojnë punën javën e ardhshme. Sigurimi i testeve të mjaftueshme e që Kosova do të jetë në gjendje ta përcjell më mirë situatën epidemiologjike në teren duke i identifikuar me kohë dhe duke gjurmuar rastet dhe izoluar ata që janë COVID pozitiv” thotë Raka.