Deri në ora 15:00, në Podujevë votojnë 29 mijë persona, në Mitrovicë të Veriut 7 mijë

Procesi zgjedhor në Komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut është duke u zhvilluar në atmosferë të qetë dhe të kënaqshme.

Kështu ka thënë Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.

“Deri më tani, nuk kemi pranuar informacione për ndonjë parregullësi dhe se procesi i votimit është duke vijuar normalisht. Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, deri në orën 15:00 kanë votuar 29.76% e votuesve apo 26 mijë votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 26 mijë e 37 votues apo 31%”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në Komunën e Mitrovicës deri në orën 15:00 kanë votuar 30.3% e votuesve.

“Në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 15:00 kanë votuar 30.3% e votuesve apo 7 mijë e 62 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 6 mijë e 275 votues apo 29%. Konferenca e katërt për ditën e sotme është në orën 19:30 dhe ka të bëjë me të gjithë ecurinë e procesit të votimit si dhe pjesëmarrjen në votime deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00”, ka thënë ajo.