Opinionistja Aida Dërguti ka komentuar listën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, duke vënë në pah rritjen e votave të disa kandidatëve dhe faktorët që, sipas saj, kanë ndikuar në këtë rezultat.

Dërguti ka theksuar se Xhelal Sveçla ka përfituar mbështetje të madhe për shkak të qëndrimit të tij kundër Milan Radoiçiqit, ndërsa Mimoza Kusari-Lila ka shënuar rritje të votave pavarësisht se emri i saj doli në përgjime me Radoiçiqin.

Ajo e ka cilësuar këtë situatë si një “anomali”, duke theksuar se të dyja figurat kanë pasur rritje në vota, ndonëse për arsye krejtësisht të kundërta.

“Ndërkohë është anomalia tjetër që e shohim Xhelal Sveçlën i cili fiton shumë vota për shkak të Mitrovicës, ndërkohë e shohim Mimoza Kusari-Lilën e cila në përgjime me Milan Radoiçiqin është ana e kundër e medaljes që e kemi dëgjuar të gjithë rritje. Mandatin e kalua ajo pati 50 mijë të votave, ndërsa tani i ka 84 mijë vota, janë fitues dhe janë rritje të dy anët e medaljes”.

“Është rritur pas aferës, atë skandalin që e kemi dëgjuar gjithë. Do të thotë në të dy anët e medaljes kanë rritje, këtu një njëri do të duhej të ndëshkohej, apo jo. Nëse ti je rritur në votë për shkak të aksioneve në veri, dikush i cili ka qenë kundër Radoiçiqit, dikush është dëgjuar në përgjime në bashkëbisedim shumë miqësor, dikush do të duhej të ndëshkohej. Njëra palë do të duhej të penalizohej”. – tha ajo në Rubikon.