Deputetja e PDK-së ‘godet’ Kurtin: 100 ditëshi i kësaj qeverie, janë ditët më të këqija të qeverisjes

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kritikuar qeverinë Kurti për prishje të marrëdhënieve me ndërkombëtarët.

Deputetja e kësaj partie, Besa Ismaili ka thënë se 100 ditësh i kësaj qeverie, janë ditët më të këqija të qeverisjes.

E lidhur me pezullimin e dekretit të Presidentit për mandatarin për formimin e qeverisë së re, Ismaili ka vlerësuar që ishte vendim i drejtë.

Ajo pohon se gjatë kësaj qeverisje, ka pasur edhe shkelje të sovranitetit territorial të Kosovës.

“Kemi pasur gjithashtu edhe shkelje të sovranitetit territorial të Kosovës. Menaxhimi i kësaj situate pandemike në veri është ndër më skandalozet. Mendoj që me të akoma do të përballemi më vonë dhe se ka pasoja të shumta. Ajo që na ka shqetësuar më së shumti është shëndeti i popullatës edhe në veri të Kosovës si kudo tjetër”, ka thënë Ismaili për “Front Online”.

Ismaili ka thënë se në menaxhimin e pandemisë Covid-19, ka pasur shkarje ligjore.

Sipas saj, nuk janë përfillur as propozimet e presidentit dhe as ato të Kuvendit të Kosovës.

“I tërë menaxhimi i pandemisë Covid mendoj se që nga fillimi ka pasur shkarjet e veta ligjore sepse ne jemi ndër të rrallët në mos i vetmi vend në botë ku këto masa për menaxhimin e pandemisë Covid, nuk janë marrë në Kuvendin e Kosovës dhe disa propozime që kanë ardhur si nga ana e presidentit ashtu edhe të deputetëve dhe të Kuvendit janë anashkaluar”, ka thënë ajo.

Ismaili nuk la pa përmendur edhe dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ku u konstatuan shkelje të Kushtetutës nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, si dhe nga ministri i shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia.

“Është konfirmuar dy herë radhazi edhe në Gjykatën Kushtetuese për mungesën e kushtetutshmërisë së vendimeve që janë marrë në rastin e menaxhimit të pandemisë Covid-19 dhe pastaj ne mund të flasim për specifike dhe për vendime të veçanta por mendoj se kjo punë ka mundur të bëhet ndryshe në radhë të parë duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqidhe do të menaxhohej shumë më mirë dhe nuk do i humbte kredibiliteti i vet”, ka thënë ajo.

Ndërsa për sa i përket zgjedhjeve të reja, deputetja e PDK-së ka theksuar që duhet shpallur të njëjtat posa të krijohen kushtet.