Shpallja e kandidaturës nga Ramush Haradinaj për t’u bërë President i Kosovës gati shtatë muaj më herët se që ka mandat presidenti Hashim Thaçi, i ka habitur të gjithë dhe ka pasur reagime të ndryshme nga dita e djeshme.

Ambiciet dhe dëshira e madhe Haradinajt për t’u bërë President i Kosovës është zyrtarizuar edhe nga vet ai gjatë ditës së djeshme, mirëpo kjo nuk po gjen përkrahje nga asnjë parti parlamentare.

Deputeti i Vetëvendosjes Eman Rrahmani thotë se kandidatura e Ramush Haradinajt nuk është serioze, pasi që për këtë post kriter kryesor është uniteti, që sipas tij, i mungon atij.

Për më tepër, ai krahasoi me kandidaturën e Ismet Hebibit dhe Seremb Gjergjit.

“Mënyra e shpalljes së kandidaturës së Haradinajt s’është serioze dhe po bëhet për arsye të pazareve politike.Këso lloj kandidaturash kemi pasë shumë herë siç është ajo Seremb Gjergjit, Ismet Hebibit dhe plot të tjerëve që kanë shpallë kandidatura presidenciale dhe i kanë mbetur ende. Dihet se për të qenë president duhet të ketë kritere dhe natyrisht qytetarët s’i lejojnë”, tha Rrahmani në Klan Kosova.

Rrahmani tha se për t’u bërë president duhet të plotësojë disa kritere Haradinaj, sidomos kriterin e unitetit duke e marrë parasysh edhe angazhimin e tij.

Kujtojmë se shpallja e kandidaturës nga Haradinaj për president nuk është përkrahur as nga LDK’ja, PDK’ja, Nisma dhe komunitetet.