Deputeti i VV-së: S’kemi ndryshuar qëndrim për Trustin, ne vlerësojmë më të mirën për qytetarët

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka folur sa i përket tërheqjes së një pjese të kursimeve pensionale.

Rrahmani ka thënë se tërheqja e mjeteve financiare nga Trusti rrezikon të ardhmen e qytetarëve.

“Si praktikë e tillë nuk ekziston në asnjë vend dhe mendojmë që është e rrezikshme për të ardhmen e qoftë një lloj sigurimi i të ardhurave të mjaftueshme në një kohë të mëvonshme për secilin qytetarë”, tha ai në Tëvë1.

Ai ka folur edhe për protestën e një grupi të qytetarëve që do të protestojnë të enjten para Kuvendit për lejimin e tërheqjes së një pjese të Trustit.

“E drejta e kërkesës dhe e protestës për secilin qytetarë është e garantuar dhe ata kanë të drejtë t’i shprehin bindjet e tyre. E jona mbetet të vlerësojmë se çka mendojmë se që është më e mira për qytetarët dhe Kosovën dhe vendimet që merren në bazë të kërkesave, por edhe të parashikimeve nga ekspertë të fushave të cilët mund të japin vlerësimet të sakta për të ardhmen”, ka thënë Rrahmani.

Ai thotë se qëndrimi i grupit parlamentar të LVV-së mbetet i njëjtë sa i përket Trustit.

“Qëndrimi i grupit parlamentar është publik dhe përderisa nuk ka ndonjë vendim tjetër qëndron ai vendim”, tha më tej Rrahmani.