Deputeti i VV-së: Me asnjë kusht nuk do të lejojmë mbajtjen e seancave nëse aty është Driton Selmanaj

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Enver Haliti në emisionin “Imazh” të RTK-së ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk do të lejojnë mbajtjen e seancave të Kuvendit të Kosovës nëse aty prezent do të jetë zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj.

Ky reagim i VV-së vije pasi që ata pretendojnë se Selmanaj e ka fyer deputeten Saranda Bogujevci dhe të gjitha familjet e të pagjeturve me deklaratat e tij në Kuvend dhe në studiot televizive.

“Derisa ai të jetë prezent në seance, ne nuk do të lejojmë mbajtjen e seancave të Kuvendit”, ka thënë Haliti.

I pyetur për deklaratën e kryeministrit Avdullah Hoti i cili tha se nëse dikush është ndjerë i fyer me deklaratën e Selmanajt atëherë kërkon falje, por se nuk beson se ai e ka bërë një gjë të tillë, Haliti i VV-së tha se nuk pranohet që Hoti të kërkoj falje në emër të Selmanajt.

“Pse duhet që zoti Hoti të kërkoj falje në emër të Driton Selmanajt. Duhet vet Selmanaj ta bëjë një gjë të tillë, por fillimisht të jap dorëheqje dhe më pas të kërkoj falje”, tha ai.

Tutje Haliti shtoi se nëse Selmanaj e ka një qëndrim të tillë në Kosovë për të pagjeturit, çfarë mund të pritet nëse ai e përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë.

“Zoti Selmanaj gjatë gjithë kohës me deputetët ka një qasje agresive dhe jo korrekte. Duhet të dihet që Qeveria i raporton Kuvendit dhe secili ka obligim t’i përgjigjet Kuvendit. Qasja e tij nuk është konform pozitës që e mban si zëvendëskryeministër karshi Kuvendit dhe deputetëve”, tha Haliti.