Deputeti i VV-së deklarimet për sanviçet e Hotit i quan populliste, i arsyeton ato për ngrënien e pasulit nga Kurti

Shpejtim Bulliqi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka komentuar punën e ngrënies së sandviçëve të kryeministrit Avdullah Hoti.

Ai ka thënë se niveli i këtyre deklarimeve është i ultë.

“Këto janë tepër populliste, sidomos çështja e ushqimit në zyrë. Edhe niveli i këtyre deklarimeve është i ulët. Është individuale se kush në çfarë mënyre ushqehet. Nuk është mirë që këto tema të bëhen ditore. Përditë po e shohim se këta nuk mund ta kryejnë funksionin për çka paguhen nga taksapaguesit”.

“Nuk mjafton që në mjetet tona të informimit të dalë një kryeministër që paraqitet se ha sandviçë, kurse tenderomania është në vlugun më të madh”.

“Çështja e pasulit [kur ka ngrënë Albin Kurti] ka qenë në kuptimin e ushqimit tradicional. Puna e sandviçit është bërë nga një zëvendëskryeministër [Driton Selmanaj] për t’ia atribuuar një karakteristikë se kjo qeveri kursen shumë”.

“Në të gjitha nivelet ministrore, tenderët dhe malverzimet tjera asnjëherë nuk janë ndalë. Këto duhet shikuar sepse janë më domethënëse sesa a ha kryeministri drekë në zyrë apo në qytet. Një drek e një kryeministri nuk mund ta çojë shtetin në humbje”.

Bulliqi ka thënë se Qeveria Hoti nuk shquhet për ndonjë punë të madhe.

“Një Qeveri që projektligjet që i bën vetë nuk ka potencial që t’i shtyjë përpara, prandaj sa më parë që kjo Qeveri shkon në shtëpi, do të jetë më mirë për qytetarët tanë”.

“Kjo Qeveri do të shquhet për një dakordim që është bërë në SHBA me të cilën është cenuar integriteti territorial i vendit. Ujmani, një resurs ujor i rëndësishëm për vendin, i është krijuar mundësi e qasjes një shteti fqinj në këtë resurs ujor. Dëmi tjetër është ngrirja e kërkimit të njohjeve prej një vjet që e cenon integritetin territorial të vendit”, ka deklaruar ai.