Deputeti i LVV-së: Nuk do të duhej që Kusari të kishte komunikim me Radoiçiqin

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka deklaruar se shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, nuk do të duhej të kishte komunikim me Milan Radojçiq.

Në një lidhje telefonike në “Debat Plus” i pyetur se si ndihet nën përfaqësimin e Kusari-Lilës, Rrahmani ka deklaruar se ajo nuk përfaqëson atë.

“Unë edhe para se të dalin këto audio-incizime, të cilat kanë dalë, kam pasur qëndrimet e mia dhe natyrisht se ajo e prezanton grupin parlamentar të LVV-së, përderisa është shefe e grupit, mirëpo unë…qëndrimet që m’i keni parë janë personalet, individualet. Natyisht se në aspektin e përfaqësimit politik, Mimoza Kusari ka orientim tjetër politik dhe aspektin ideologjik nuk më përfaqëson, as para se me dal këto audio-incizime as tash, mirëpo si shefe e grupit, ajo prezanton grupin e LVV-së sepse është e zgjedhur prej deputetëve…Nuk më përfaqëson dhe as nuk më ka përfaqësuar në aspektin ideologjik punën që e bëjmë, ligjet që bëhen…në aspektin e përfaqësimit, përfaqësoj veten. Nuk më përfaqëson askush.”, ka deklaruar ai.

Gjersa tha se nuk ka koment lidhur me përgjimet e publikuara, Rrahmani theksoi se askush, përfshirë edhe Kusari-Lila, nuk do të duhej të diskutonte me një person si Radojçiq.

“Ajo çka pashë dje në përgjimet, të cilat janë bërë, nuk është se kam koment…komunikime të tilla t’ketë politikë shpeshherë…nuk është se kam koment, nuk është gjë e mirë që ka ndodhur për shkak se është një person që është në kërkim nga institucionet përgjegjëse të Kosovës dhe nga SHBA-të dhe nuk do të duhej që të kishte komunikim…asnjë person nuk duhet të ketë diskutim me një person që kërkohet nga policia”, ka deklaruar ai.