Deputeti i LVV-së: Në kohën e Qeverisë Kurti në veri janë respektuar masat e vendosura nga Republika e Kosovës

Deputeti i LVV-së, Fitim Uka ka reaguar për futjen në karantinë të komunave veriore me shumicë serbe.

Uka në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se situata me pandeminë ka dalë jashtë kontrollit.

“Faktet na tregojnë se situata aspak nuk është e favorshme”, tha ai.

Deputeti i LVV-së thotë se derisa ishte Qeveria Kurti ndërkombëtarët Kosovën e konsideronin histori suksesi që sipas tij tash nuk po ndodh.

“Situata ka dalë jashtë kontrolli jo vetëm për nga numri i të prekurve apo të vdekurve por edhe nga numri i testimeve. Ky ministër ka premtuar testime masive ndërsa tani as për së afërmi nuk po ndodh. Në kohën e ministrit Vitija u testonin edhe kontaktet e rrethit të katërt ndërsa sot njerëzit presin me ditë për t’u testuar”.

Uka thotë se në kohën e Qeverisë Kurti në veri të Kosovës janë respektuar masat e vendosura nga Republika e Kosovës ndërsa sipas tij “sot është e çuditshme që masat e një shteti tjetër po zbatohen edhe në Kosovë” duke iu referuar masave që janë vendosur në veri me rekomandim të Vuçiqit.