Deputeti i LVV-së: Askush në parti s’është kundër bartjes së shamisë në shkolla, shpresoj në shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ

Po vazhdon të kundërshtohet Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Arsimit që e ndalon bartjen e shamisë në shkolla. Për këtë ka filluar një fushatë në rrjetet sociale edhe i është bërë kërkesë MASHTI-t që të shfuqizohet ky Udhëzim. Nga MASHTI ende nuk ka përgjigje konkrete për këtë çështje.

Që nga viti 2014 ekziston një Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Arsimit që ndalon bartjen e shamisë në shkolla.

Ani pse aktualisht nuk zbatohet në tërësi si akt, një grup qytetarësh po kërkojnë që si i tillë të ndryshohet, dhe ajo pikë mos të ekzistojë fare.

Për këtë çështje është deklaruar për Demokracia.com deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani.

Rrahmani ka thënë se ky Udhëzim duhet të shfuqizohet, sepse sipas opinioneve ligjore ai është jo kushtetues.

“Qe nja dy vjet jam deklaruar publikisht për këtë çështje. Është mbështetje që kam kërkuar edhe në Kuvend edhe në Komisione Parlamentare dhe vazhdoj të kërkojë që ai udhëzim të shfuqizohet”, tha Rrahmani.

Sipas tij, as brenda Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes nuk ka ndonjë kundërshtim rreth shfuqizimit të udhëzimit administrative, anipse ministrja e Arsimit, Arbëri Nagavci është pjesë e LVV-së.
“Çka mund të themi është se nuk ka kundërshtime (brenda GP të LVV-së), por ka diskutime për mënyrën se si të largohet ai Udhëzim. Kundërshtime brenda subjektit nuk ka pasur deri më tani të paktën publikisht”, tha ai.

Ai thotë se nuk ka ndonjë lëvizje në drejtim të shfuqizimit të Udhëzimit, por është në kontakt me ministren Nagavci dhe se shpreson në shfuqizimin e tij.

“Nuk e di se a do të ketë shfuqizim, sepse është kompetencë e ministres me ndryshu Udhëzimin Administrativ, por ajo që kam parë është se edhe opinioni ligjor si Udhëzim është i jashtëligjshëm dhe diçka që është e jashtëligjshme nuk mund të jetë obligative për askënd. Shpresoj se Ministria shumë shpejt do ta heqë dhe ta ndryshojë këtë Udhëzim Administrative për shkak se ka interpretim se është jo kushtetues”, tha Rrahmani për Demokracia.com.

I pyetur se a është diskutuar brenda Grupit Parlamentar të LVV-së kjo çështje, Rrahmani thotë se nuk janë takuar pasi që janë në pushim. “Tash jemi edhe në pushime prej që është bërë temë kjo punë dhe jemi takuar. Kam pasur disa kontakte me ministren, por jo diçka konkrete”, tha Rrahmani.

Kujtojmë që ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurit, juristi Durim Berisha i ka drejtuar Ministrisë së Arsimit një kërkesë për anulim të nenit kontestues të Udhëzimit Administrativ.

Krahas kësaj kërkese në rrjetin social Facebook ka nisur një fushatë me fotografi me hashtag #ndryshojeni_ua_per_shaminë.

Organizatori tjetër i fushatës, Liridon Kurti thotë se kanë marrë mbështetje të madhe.

Sipas tij, nëse brenda 45 ditësh Ministria nuk e trajton kërkesën, ata do të ngrisin padi ndaj këtyre të fundit.

“Ministria e Arsimit i ka 45 ditë për me vendos në lidhje më kërkesën tonë, e nëse eventualisht MA e refuzon kërkesën tonë ne do t’i ndjekim proceset tjera, e të drejtat tona demokratike do t’i kërkojmë me mjete tjera, ndoshta edhe me procese gjyqësore duke i hapur padi Ministrisë së Arsimit”, ka shtuar Kurti.

Çështja e lejimit të bartjes së shamisë në shkolla, është një nga temat që sjellë shumë debat në Kosovë.

Debati i fundit që mori përmasa të mëdha sa i përket kësaj çështje, u shkaktua pasi në një shkollë në Gjakovë, ishte vendosur një shenjë që ndalonte hyrjen me shami brenda objektit.