Deputeti i VV-së

Deputeti i Kurtit përfshin në arrestimin e Nagipit dy zyrtarë të lartë të KEK-ut, provon të ndikojë në konkursin e ri për punëtorë

Gazeta Nacionale pak kohë më parë ka publikuar mesazhe tek të cilat shihet deputeti i VV-së, Halil Thaçi, teksa komunikon me aplikues në konkursin e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Në bisedat që i ka siguruar Nacionale, deputeti Thaçi bisedon me disa aplikues të cilët i thonë “veç ti n’mujsh me ba diçka”. Më pas deputeti i VV-së, i drejtohet me ankesë edhe ministres Artane Rizvanolli dhe Arton Ahmetit që është anëtar i bordit.

Megjithatë, këto nuk janë komunikimet e vetme.

Në njërën prej tyre, shihet një bisedë më e vjetër e deputetit të VV-së, Halil Thaçi, me ministren Artane Rizvanolli. Aty, Thaçi i akuzon Luigj Imerin, që është i afërt me VV-në, dhe Skënder Bucollin, se janë të përfshirë në arrestimin e Nagip Krasniqit.

“E vërtet, aman mos i qitni ata qe e qun Nagipin në burg si Luigji e Skender Bucolli, se kam friken veq kan me ja rëndu ma shumë”, thuhet në këtë mesazh.

Deputeti Thaçi pasi e kontaktoi Nacionale e ka pranuar që e ka thënë këtë mesazh, edhe pse ai Nacionalen e ka kërcënuar me padi.

Nacionale ka kontaktuar edhe me ish-kryeshefin e KEK-ut, Luigj Imeri, i cili përmendët në mesazh. Ai thotë se s’mund të komentojë pa i parë bisedat, megjithatë ka theksuar se nëse ka diçka të vërtetë, “dikush do të jap llogari”.