Deputeti i AAK-së reagon pasi që zëvendësit e Kurtit mund t’i kenë nga 30 këshilltarë: Politika e mashtruesit

Pas publikimit të një rregulloreje të re të Qeverisë Kurti, ku për zëvendëskryeministra lejohet të kenë deri në 30 këshilltarë, ka reaguar deputeti i AAK-së, Gazmend Syla.

Qeveria Kurti, ndonëse ka zvogëluar numrin e ministrive në 15, nga 21 sa kishe qeveria Haradinaj, ajo me rregulloren e re për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive, ka rritur numrin e këshilltarëve politik për zëvendëskryeministra.

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti që vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje, sipas rregullores së re të punës së qeverisë, bashkë mund ti punësojnë deri në 30 këshilltarë politikë, 20 të brendshëm dhe 10 të jashtëm.

“Albin Kurti dyfishon ushtrinë e këshilltarëve. Albin Kurti çdo ditë e më shumë po ndryshon, duke e vërtetuar atë çfarë kemi thënë ne, në vazhdimësi”, ka shkruar deputeti Syla.

Sipas tij, me rregulloren e re që sot paska bërë kryeministri Kurti, paska dyfishuar numrin e këshilltarëve.

“Kjo tregon se si Kurti me politikën e tij mashtruese, në opinion tenton të tregojë se kursen paranë publike, ndërsa që në fillim të mandatit të tij, jemi dëshmitarë që po e bën të kundërtën”, ka shkruar në fund Syla. /Ballkani.info/