Deputetët e VV-së me akuza të rënda ndaj KPMSHCK-së për kthimin në punë të ‘babës së tenderëve’, të cilin Liburn Aliu nuk po e shkarkon

Valon Ramadani, anëtar i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka kërkuar inicimin e shkarkimit të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Me gjashtë vota pro dhe katër vota kundër është miratuar ky propozim ndërsa sipas procedurave ky vendim shkon në Kuvend.

Ramadani, këtë deklaratë e ka bërë gjatë debatit u zhvillua në këtë Komision rreth dorëheqjes së Eshref Shabanit, kryetar të KPMSHCK-së.

Një tjetër debat i ashpër u zhvillua në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal rreth çështjes së kthimit në punë ish-zyrtarit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

Valon Ramadani nga LVV-ja ka thënë se dorëheqja e Eshref Shabanit vetëm e ka vërtetuar dyshimin e tij për vendimin e KPMSHCK-së për rikthimin në punë të Nexhat Krasniqi.

“Më dorëheqjen është vërtetuar dyshimi im. Unë kërkoj që të iniciohet shkarkimi i anëtarëve të KPMSHCK-së, në mënyrë që t’i hapet rrugë një konkursi tjetër që të ketë pavarësi në këtë institucion”, ka thënë Ramadani.

Fitim Haziri nga LVV-ja ka thënë se lënda e Nexhat Krasniqit është trajtuar me prioritet duke u anashkaluar lëndët e tjera.

“Nuk na është ofruar asnjë bazë ligjore nga Këshilli. Kjo na lë të kuptohet se ata po fshehin diçka. Kanë selektu lëndë”, ka thënë Haziri.

Ndërkaq, Mergim Lushtaku nga PDK ka kritikuar inicimin e shkarkimit të anëtarëve të KPMSHCK-së.

“Debati është shumë politik. Shkarkimet nuk bëhen kështu”, tha ai.

Të kujtojmë se deri më tash ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka hezituar ta shkarkojë Nexhat Krasniqit të njohur si “Baba i tenderëve”.

Për këtë ka reaguar në disa raste edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj, të cilit sa ishte shef i ekzekutivit VV-ja ia kërkonte shkarkimin e Krasniqit.

Për më tepër, Haradinaj ka akuzuar ministrat Liburn Aliu, Xhelal Sveçla dhe Albulena Haxhiu si bashkëpunëtor të Nexhat Krasniqit, duke i quajtur edhe “hajna”.

Edhe pse ministri Aliu e ka të gjithë dokumentacionin dhe vendimet e gjykatave për Nexhat Krasniqi, ai as pas 80 ditësh të qeverisjes nuk gjetur guxim që të veprojë.

Për rastin e Krasniqit ka heshtur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili në vazhdimësi e ka gojën plotë luftim të korrupsionit. /Ballkani.info/