Japonia e ka dënuar me vdekje një person që i kishte vrarë nëntë persona pasi i kishte kontaktuar në rrjetin social, Twitter.

Takahiro Shiraishi, i njohur si “vrasësi i Twitterit”, u arrestua në vitin 2017 pasi policia kishte gjetur copa të trupit të njeriut në banesën e tij, shkruan BBC, transmeton Ballkani.

Burri 30 vjeç ka pranuar se i ka vrarë dhe ua ka gjymtuar trupat viktimave të tij. Gati të gjitha viktimat ishin vajza që i kishte kontaktuar përmes rrjetit social.

Mediet lokale raportuan se gjatë vendimit të gjykatës ishin të pranishëm 400 persona, ndonëse në sallë ishin vetëm 16 ulëse për publikun.

Japonia është një ndër pak vendet e zhvilluara në botë që ende e ka në fuqi dënimin me vdekje. Përkrahja popullore për mbajtjen në fuqi të këtij vendimi është e lartë, përcjellë Ballkani.

Shiraishi e përdori rrjetin social për t’i bindur vajzat që donin të kryenin vetëvrasje që të shkonin në banesën e tij, duke u thënë se do t’i ndihmojë që të vdesin dhe, në disa raste, i gënjeu se edhe ai do ta vrasë veten.

Ai i ngulfati dhe ua copëtoi trupat tetë vajzave dhe një djali të moshës 15 deri 26-vjeçare nga gushti deri në tetor të vitit 2017.