Gjykata Themelore

Dënohet me tri vite burgim pasi pranoi fajësinë se tentoi ta vrasë të dëmtuarin

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar me 3 vite burgim të akuzuarin Kastriot Veliqi për vrasje në tentativë.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të martën, nga gjykatësi i rastit, Avni Mehmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit në dënimin me 3 vite burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Paraprakisht, në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor i akuzuari Veliqi e ka pranuar fajësinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit, Sahit Tmava.

“Po e pranoj fajësinë, dhe njëkohsisht dua t’i kërkoj falje të dëmtuarit dhe familjes së tij për këtë vepër që e kam ba dhe jam borxhli tanë jetën. Nëse kisha mund me ç’ba kisha jap gjithçka në jetë, po rasti ka ndodh”, tha i akuzuari Veliqi.

Me këtë rast, prokurori Tmava i ka propozuar gjykatës të aprovojë pranimin e fajësisë, me arsyetimin se është bërë pa presion dhe me vetëdëshirë nga ana e të pandehurit, dhe se pranimi i fajësisë mbështetet në provat materiale nga të cilat është ngritur aktakuza.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Veliqi, avokati Mahmut Halimi i propozoi gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë nga i akuzuari, me arsyetimin se është bërë me vullnet të plotë të tij dhe se është penduar për rastin.

Edhe përfaqëuesi i palës së dëmtuar, avokati Arbër Fazliu nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë, duke thënë se është në përputhje me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale dhe konsideroi se ekzistojnë prova materiale të mjaftueshme për të cilat ngarkohet i pandehuri.

Më pas, gjykata e miratoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Veliqi, me arsyetimin se është bërë në mënyrë vullnetare, pa presion dhe pas konsultimeve të mjaftueshme me mbrojtësin e tij, po ashtu në përputhje me të gjitha shkresat e lëndës dhe aktakuzën.

Seanca ka vazhduar me paraqitjen e fjalëve përfundimtare, ku prokurori Tmava tha se nga provat materiale që gjenden në shkresa të lëndës, të cekura dhe të arsyetuara në aktakuzë, provohet kryerja e veprës penale nga i pandehuri.

Ai tha se kjo u vërtetua edhe nga fakti i pranimit të fajësisë nga i pandehuri. Andaj, me rastin e shqiptimit të dënimit, prokurori propozoi që gjykata t’i marrë për bazë të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese të parapara me ligj, duke përfshirë edhe pranimin e fajësisë.

Ndërsa, avokati Fazliu, si rrethana rënduese propozoi të merret shkalla e lartë e dashjes për kryerjen e veprës penale, shkuarja e të pandehurit te shtëpia e të dëmtuarit me qëllim që ta privojë nga jeta, dhe shmangia dhe mosparaqitja e tij për t’u gjykuar nga gjykata, andaj kërkoi që t’i shiptohet dënim meritor.

Në anën tjetër, avokati Halimi, tha se i akuzuari Velqili dhe i dëmtuari E., jetojnë dhe kanë jetuar edhe në atë kohë në të njëjtën lagje dhe nuk kanë pasur kurrë konflikte deri në natën paraprake para ngjarjes kritike, kur kanë komunikuar përmes rrjeteve sociale, duke e quajtur komunikim i nivelit adoleshent si pasojë e të cilit ka esklauar ngjarja që ka ndodhur.

Ai tha se i akuzuari, e në veçanti familja e tij kanë kontaktuar vazhdimisht me familjen e të dëmtuarit, duke shprehur keqardhje dhe pendim të thellë për të gjitha çfarë kanë ndodhur.

Avokati Halimi tha se i akuzuari kishte shkuar jashë vendit me të dhëna të sakta të tij dhe se largimi i tij ishte bërë shkaku i kushteve të vështira ekonomike.

Kujtojmë, se i akuzuari është ekstraduar nga autoritetet zvicerane, pasi Gjykata Themelore në Mitrovicë fillimisht kishte lëshuar urdhërarrest për të, e më pas edhe letër-rreshtim vendor dhe letër-rreshtim ndërkombëtar.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 6 maj 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Kastriot Veliqit, me arsyetimin se më 3 prill 2019, në rrugën “Iliria” në Skenderaj, me dashje kishte tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin E.Z., pasi një ditë më parë, në sheshin në Skenderaj kishin pasur konflikt verbal rreth lojërave elektronike si dhe komunikime nëpërmes rrjetit “Snapchat”.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Veliqi, i pajisur me shkop druri dhe thikë, kishte shkuar te shtëpia e të dëmtuarit dhe e kishte thirrë, posa kishte dalë i dëmtuari para dyerve hyrëse të oborrit të shtëpisë, i pandehuri menjëherë e kishte goditur dy herë me shkop druri në trup, pastaj me thikë e kishte goditur tri herë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri i bindur se e ka privuar nga jeta të dëmtuarin, kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 178 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/