Dënohet me burg personi që kërcënoi kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastratin

Gjykata e Gjilanit, dega në Kamenicë, e ka gjetur fajtor Shefqet Rexhën, i akuzuar për kërcënim ndaj kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Sipas aktakuzës, vepra penale ka ndodhur më 16 qershor 2019 në fshatin Koretin, ku kryetari Kastrati kishte zhvilluar një takim me banorët lidhur me reformat në arsim.

Aty, i pandehuri e kishte kanosur me fjalë kryetarin e Komunës, ndërsa në muajin gusht 2019, në Kamenicë, i akuzuari me qëllim të frikësimit të Kastratit kishte manovruar me veturë duke kaluar nga njëra korsi në tjetrën në të cilën gjendej kryetari me veturën e tij zyrtare. Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, i pandehuri e ka kërcënuar seriozisht të dëmtuarin. Në të njëjtin muaj, i pandehuri e kishte ndjekur me veturën e tij kryetarin Kastrati që po udhëtonte me veturën zyrtare, duke iu afruar në distancë shumë të vogël, gjë që i dëmtuari e ka perceptuar si një kërcënim serioz.

Për këtë arsye, sipas aktgjykimit të datës 9 qershor 2020, të siguruar nga KALLXO.com, Gjykata e ka dënuar të akuzuarin me 5 muaj burgim, i cili dënim, me pëlqimin e të akuzuarit do t’i zëvendësohet me shumë prej 1,500 euro, të cilat duhet t’i paguajë në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Aktgjykimi është shpallur nga gjyqtari i vetëm gjykues, Sadri Krasniqi, ndërsa aktakuza është mbrojtur nga prokurori Shefik Memeti.