Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 1 vjet burg të akuzuarin B.Zhjeqi, i cili i ka ndihmuar sulmuesit B.A dhe G.M, të cilët janë ende në arrati, që të largohen nga vendi i ngjarjes, pasi ata kanë sulmuar drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogajn.

Sulmi ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, ka ndodhur mëngjesin e 16 gushtit të vitit 2016, në hyrje të banesës së tij në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Ai ishte goditur në kokë me shufra hekuri nga persona që ishin me maska.

Të akuzuar për këtë çështje janë B.Zh, por ata ende janë në arrati që nga kryerja e sulmit. Por, aktgjykim dënues ka shpallur Gjykata Themelore e Prishtinës sot për B.Zh, i cili u akuzua se iu ka ndihmuar sulmuesve të largohen nga vendi i ngjarjes, duke i transportuar ata në drejtim të Podujevës.

“I akuzuari B.ZH. ka ndihmuar të pandehurit B.A. dhe G.M. të cilët gjenden në arrati, që pas kryerjes së veprës penale të sulmit ndaj të dëmtuarit S.Z. ish- Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke qenë në dijeni dhe me dashje ka kontribuar në krijimin e kushteve për kryerjen e veprës penale, duke i transportuar të pandehurit nga vendi i ngjarjes në drejtim të Podujevës” thotë komunikata e dërguar për media nga Gjykata.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Divizioni për Çështje Penale ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit B.ZH. për veprën penale të ricilësuar Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale nga neni 388 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, të cilin dënim i akuzuari do ta mbajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I dëmtuari S.Z. në realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko civil.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës