Demokratët e rimorën shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve me gjithsej 219 përfaqësues, duke lënë pas me 194 përfaqësues republikanët, ndërkohë që shumica e Senatit mbetet në duart e republikanëve me gjithsej 51 përfaqësues, duke lënë pas me 44 përfaqësues demokratët, transmeton Ballkani.info.
Mediat amerikane shkruajnë se pjesëmarrja në zgjedhjet amerikane ka qenë më e lartë se asnjë herë më parë dhe gara vazhdon për të ndryshuar balancën e pushtetit në Kongres.
Demokratët duan të arrijnë shumicën në të dy Dhomat e Kongresit. Nëse e arrijnë këtë, ata do të jenë në gjendje të pengojnë Trumpin të qeverisë i lirë. Në shumë zona zgjedhore rezultatet janë të paqarta dhe gara është shumë e nxehtë. Fituesit e parë janë bërë ndërkohë të ditur. Në Nju Jork të gjithë kongresmenët e zgjedhur janë nga Partia Demokrate. Mes tyre edhe kongresmeni i mirënjohur prej shqiptarëve, Eliot Engel. Senatori i pavarur Bernie Sanders, arriti të rizgjidhej lehtë në Vermont. Kongresmenia e parë myslimane në historinë e Amerikës, do të jetë Rashida Tlaib, e sapozgjedhur në Miçigan. Katër gra i janë shtuar tashmë Senatit, duke shtuar numrin e grave në përfaqësimin në institucionet më të larta të vendit.
Mediat në Amerikë në përgjithësi folën për një “valë rozë” në këto zgjedhje, për shkak të numrit të lartë të grave kandidate.
Shoqëria amerikane është shumë e përçarë dhe kjo përçarje karakterizoi edhe zgjedhjet. Shumë vetë mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar. Temat më të rëndësishme për qytetarët amerikanë kanë qenë gjatë zgjedhjeve migracioni, sigurimi shëndetësor dhe ekonomia. Ditët e fundit presidenti Trump e ashpërsoi retorikën për migrantët që po pushtojnë Amerikën dhe shau liberalët amerikanë, gjëra që i interesojnë zgjedhësve konservatorë.
Kurse demokratët përdorën temat që kanë lidhje me jetën e përditshme, si sigurimi shëndetësor për të gjithë, dhe ruajtja e sigurimit shëndetësor edhe për të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore.
Votimet që zhvillohen në mes të periudhës së qëndrimit në post të presidentit, shihen si testim për politikën e Trumpit. Kjo në përgjithësi, por në rastin e Trumpit edhe në veçanti, për shkak të polarizimit të madh që ka shkaktuar politika e tij. Shumë nga zgjedhësit thanë se shkuan të votojnë për t’ i treguar presidentit se nuk janë dakord me politikën e tij.
“Sot nuk është puna vetëm demokratë apo republikanë. Puna është tek rikthimi i kushtetutës dhe balancimi i administratës së Trumpit”, ka thënë Nancy Pelosi, që drejton fraksionin demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve.
Vetë presidenti Trump qëndroi ditën e zgjedhjeve në Shtëpinë e Bardhë, dhe vazhdoi të dërgonte mesazhe me Twitter. Demokratët fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe ai nuk do ta ketë të hapur rrugën për të vazhduar politikën e tij si deri tani, pa pasur nevojë të bëjë kompromise.
Projektligje për çështje të rëndësishme nuk mund ta kalojnë Kongresin pa miratimin e demokratëve.







