Anësori francez e ka ripërsëritur qëndrimin e tij për të vazhduar me Barcelonën, përkundër lajmeve të vazhdueshme se do të përdoret në marrëveshje me PSG-në për Neymarin.

Ousmane Dembele iu ka bërë jehonë deklaratave të vazhdueshme të menaxherit të vet, Mousa Sissiko, duke thënë se nuk do t’i bashkohet Paris Saint-Germainit, por do të vazhdojë të qëndrojë në Barcelonë.

Javëve të fundit është përfolur se Dembele do të përdoret në një marrëveshje të mundshme mes Barçës dhe PSG-së për Neymarin.

Por, ai i ka thënë gazetarit të Canal +, Pierre Menes, se nuk e ka ndërmend të largohet nga klubi katalonas.

Menes ka shpjeguar se kishte biseduar me Dembelen përmes rrjetit social Instagram dhe se francezi ka qenë i qartë kur i është përgjigjur pyetjes së tij se a do të qëndrojë në Barçë: “Nuk lëviz”.

Më pas, Menes e ka pyetur edhe për lajmet e fundit nëpër media dhe mundësinë që ai të bisedojë me PSG-në dhe Dembele është përgjigjur shkurtimisht: “80 për qind e asaj që thuhet në media është e pakuptimtë, unë nuk lëviz”.

loading…