Deliu kritika Qeverisë pasi s’i pranoi vaksinat nga Shqipëria: E pakuptimtë mungesa e mendimit nga IKSHPK-ja

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti duhet ta ketë prioritet shëndetin publik, duke thënë se mospranimi i vaksinave nga Shqipëria është një veprim i pakuptimtë.

Në një shkrim në Facebook, Deliu ka thënë se para se të refuzonte gjenerozitetin e Qeverisë shqiptare për vaksinimin e mësuesëve, Qeveria do të duhej të zhvillonte një debat transparent dhe pa ngarkesa politike me profesionistët shëndetësor, në mënyrë që edhe qytetarët të kenë një pasqyrë të qartë.

“Po ashtu, mbetet e pakuptimtë mungesa e një mendimi profesionistë nga IKSHPK mbi refuzimin e vaksinimit të mësuesëve me dozat e ofruara nga shteti shqiptar. Përpjekja për t’u treguar parimor mbi kurriz të tjetrit është hipokrizi! Në vend të vendimit arbitrar të mbështetur mbi interesa partiake, Qeveria duhet të inicojë një konsultim të hapur me profesionistët shëndetësor vendor dhe ata të Shqipërisë, për të konkluduar një vendim të arsyeshëm dhe mbi të gjitha në interes të shëndetit të përgjithshëm publik”, ka thënë ajo.

“Qeveria nuk ka nevojë të ndjehet e ngarkuar nga perceptimet për prejardhjen e vaksinave, por t’u besojë rekomandimeve të profesionistëve shëndetësor dhe t’u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Pa një diskutim profesional dhe publik me gjithë akterët kompetentë, vendimi mbetet diskutabil.

Vaksinimi i popullatës dhe hapja duhet të jenë prioritet i Qeverisë, por jo mbyllja e izolimi përbrenda dhe nga jashtë”, tha e njejta./