Dele Alli rinovon kontratën me Tottenhamin deri në vitin 2024

Tottenhami ka konfirmuar se ka zgjatur kontratën me Dele Alli deri në vitin 2024.

Rinovimi do të thotë se Alli do të jetë pjesë e “Spurs” për 9 vite, gjersa u transferua te klubi londinez në vitin 2015 nga MK Dons.

21 vjeçari shpejt është përshtatur te Tottenhami duke krijuar një dyshe fantastike me sulmuesin Harry Kane. Në 153 paraqitje Alli ka shënuar 48 gola, 2 prej të cilëve gjatë këtij edicioni.

“Jam i kënaqur me nënshkrimin e kontratës së re deri në vitin 2024. Dua t’i falenderoj shumë të gjithë pjesëtarët e klubit, presidentin, trajnerin, bashkëlojtarët dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme. Jam i dashuruar me kohën e kaluar deri tani te Tottenhami, ndërsa jam kurioz se çfarë përmban e ardhmja”, shkruajti Alli në Instagram.

Marrëveshja me Allin është e fundit nga iniciativa e klubit për t’i siguruar lojtarët më të rëndësishëm si Kane e Son, kurse më herët pati rinovuar edhe me trajnerin Pochettino.