Ish-zyrtarja e gjendjes civile në Komunën e Mitrovicës, Rukije Halili është deklaruar e pafajshme për akuzën se ka keqpërdorur pozitën zyrtare kur ka regjistruar në regjistrat civil Fatmir Xhoshën për katër vjet e dy muaj e tetë ditë më të ri.

Këtë deklarim e akuzuara e bëri të enjten, në seancën e shqyrtimit gjyqësor, pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit Shpetim Peci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues Ali Kutllovci njoftoi se i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Fatmir Xhosha, ndaj të cilit ishte veçuar procedura penale.

Prokurori Shpetim Peci deklaroi se nga provat dhe dëshmitë do të konfirmohet gjendjen e përshkruar në aktakuzë, ndërsa tha se dashja dhe dijenia e të pandehurës do të përcaktohen nga rrethanat faktike sipas nenit 21 të Kodit Penal.

Avokati i të akuzuarës Halili, Rexhep Halili, tha se gjatë gjykimit do të dëshmohet se veprimet e të pandehurës nuk përmbajnë elemente të veprës penale sipas nenit 422, par. 1 të KPRK-së, por mund të konsiderohen vetëm shkelje disiplinore.

Avokati Halili tha se e akuzuara nuk ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe nuk ka përfituar dobi as për vete as për të tjerët, prandaj beson se pas administrimit të provave prokuroria do të tërhiqet nga akuza ose gjykata ta lirojë atë.

Më pas, në këtë seancë në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua Afrim Voca.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Shpetim Peci, dëshmitari tha se ka qenë shef i zyrës civile në Komunën e Mitrovicës, dhe se gjatë periudhës kohore 2000 – 2014 nuk kanë pasur regjistra të gjendjes civile.

Ai tha se regjistrat e gjendjes civile i kishte marrë Serbia, të cilët pastaj ishin kthyer në vitin 2014, dhe ishin skanuar nga Qeveria e Kosovës dhe EULEX-i, ndërsa më pas të njëjtit regjistra janë certifikuar nga Ministria dhe janë shpërndarë nëpër komuna.

Tutje, dëshmitari Voca tha se prej vitit 2000 deri në vitin 2014 regjistrimin e popullatës e kishin bërë në bazë të dokumenteve të cilat i kanë sjell palët, dhe në bazë të rregullores së UNMIK-ut, ndërsa identiteti i Fatmir Xhoshes ishte regjistruar në vitin 2005 në regjistrin e rikonstruimit.

Ai tha se në vitin 2018 kur Fatmir Xhosha kishte bërë kërkesë për t’u regjistruar në sistem elektronik, ish zyrtarja e gjendjes civile Rukije Halili e ka pasur për obligim të bëjë verifikimin e të dhënave nga regjistri i rikonstruimit në bazë të nenit 5, pikës 5 të Udhëzimit 11/2018.

Më pas, seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares Remzije Istrefi, e cila tha se punon në pozitën e zyrtares së gjendjes civile në Komunën e Mitrovicës.

Ajo tha se prej 1 qershor të vitit 1999 e kishin krijuar regjistrin e rikonstruimit, në të cilin regjistër personat madhor regjistroheshin në bazë të dokumenteve që kishin dorëzuar në zyre, procedurë e cila kishte vazhduar deri në vitin 2013, ndërsa më pas palët regjistroheshin në sistem elektronik me anë të kërkesës së paraqitur.

Dëshmitarja Istrefi tha se regjistrimi i Fatmir Xhoshës në sistem elektronik në vitin 2018 ishte bërë sipas të dhënave nga regjistri i rikonstruimit, e jo sipas të dhënave nga regjistri i certifikuar, sepse këto të dhëna nuk përputheshin.

Tutje, dëshmitarja Istrefi tha se ish zyrtarja Halili nuk e ka pasur për obligim verifikimin e të dhënave të Fatmir Xhoshës nga dokumentet tjera, në rastin e regjistrimit të tij.

Në fund, pas administrimit të provave materiale, prokurori Shpetim Peci kërkoi që seanca të ndërpritet në atë mënyrë që në seancën e radhës të paraqitet fjala përfundimtare nga prokurorja e rastit Fetije Bajrami.

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua për muajin tetor.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 23 gusht 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Rukjije Halili dhe Fatmir Xhoshës.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës, thuhet se Rukije Halili më 26 prill 2018, në pozitën e zyrtares së gjendjes civile, në Komunën e Mitrovicës, në kundërshtim me dispozitat ligjore të nenit 26, 54 dhe 55 të Ligjit për Gjendjen Civile, dhe nenit 4 të Udhëzimit Administrativ Nr.01/2015, e ka regjistruar personin Fatmir Xhosha në regjistrin qendror të gjendjes civile me moshë me të re 4 vite e dy muaj e tetë ditë, përkundër që i njëjti në bazë të librit të të lindurve dhe kartonëve të letërnjoftimeve të ish-Jugosllavisë vërtetohet se ka lindur me datën 27.02.1978.

Me këto veprime, sipas aktakuzës e akuzuara Halili ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Fatmir Xhosha ngarkohet se me datën 26 prill 2018 në Komunën e Mitrovicës, ka përdorur dokumentin e rremë, me përmbajtje të pavërtetë, me qëllim që të regjistrohet në regjistrin civil të Republikës së Kosovës, 4 vjet e dy muaj e tetë ditë në moshë më të re duke prezantuar vërtetimin e Shkollës Fillore “Fazli Grajqevci”, me ç’rast ishte evidentuar me datë të lindjes 05.05.1982, edhe pse ka qenë në dijeni se data e saktë e lindjes së tij është 27.02.1978.

Me këto veprime, sipas aktakuzës Fatmir Xhosha akuzohet se ka kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, paragrafi 1 të Kodit Penal.