Viola von Cramon

“Deklarime të rreme dhe të rrezikshme”: Cramon e bën për ‘pesë pare’ Bislimin rreth OJQ-ve serbe, ia kujton pse e njohu Perëndimi Kosovën

“Të rreme dhe të rrezikshme”, i ka quajtur Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon deklarimet e djeshme të Besnik Bislimi– Zëvendës Kryeministër i Kosovës – i cili hodhi vrer ndaj Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, rreth një takimi me përfaqësues të disa OJQ-ve serbe në Kosovë, për të cilët, mes tjerash, tha se “në mënyrë të hapur dhe aktive avokojnë kundër integrimit të qytetarëve serb në jetën shoqërore dhe ekonomike të Kosovës”.

Cramon është shprehur e shokuar me deklarimet e Bislimit duke u detyruar që t’ia kujtojë edhe themelet e shtetësisë së Kosovës; por edhe njohjen e Perëndimit mbi ato themele: multi-etniciteti; të ingranuar në Kushtetutën e Kosovës mbi Planin e Ahtisaarit, mbi të cilin plan Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe ka siguruar njohjen e mbi 100 shteteve anëekënd botës.

“Këta njerëz nuk janë zëdhënësa të Aleksandar Vuçiqit, por OJQ të pavarura që mbështesin programet multietnike dhe punojnë palodhur rreth integrimit brenda Kosovës. Këto deklarime janë jo vetëm të rreme por edhe të rrezikshme, pasi që i bën shenjëstër personat e tyre dhe organizatat e tyre”, ka shkruar Viola von Cramon në reagimin ndaj Bislimit.

“Jam personalisht e zhgënjyer rreth deklarimeve të fundit dhe veprimeve të fundit nga autoritetet e Qeverisë së Kosovës që kanë efekt negativ direkt mbi anëtarët e serbëve etnikë dhe minoriteteve tjera. Është kyçe të ruhet karakteri multi-etnik i Kosovës, të çmohet, vlerësohet dhe mbështetet. Sepse kjo ka qenë edhe fundamentale dhe ingranuar në Planin e Ahtisaarit/Kushtetutën e Kosovës që siguroi njohjen e Kosovës nga Perëndimi më 2008”, ka shkruar Viola von Cramon.

VIDEO BONUS: Ali Ahmeti nuk e mohon kandidaturën për President të Maqedonisë së Veriut