Deklaratat e të gjithë liderëve dhe kandidatëve për kryeministër pas votimit

Liderët e partive politike dhe kandidatët për kryeministër kanë ushtruar të drejtën e votës mëngjesin e sotëm.

Të shoqëruar me partnerët e tyre dhe fëmijët, ata kanë votuar në Zgjedhjet e Jashtzakonshme që po mbahen këtë të diel në Kosovë.

I pari që ushtroi të drejtën e votës ishte kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj dhe bashkëshortja e tij kanë votuar në qendrën e votimit në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë.

“Sot është dita kur flasin qytetarët e jo politikanët. Ata janë para dy opsioneve, para rimëkëmbjes ekonomike apo para një opsioni të mjegullës dhe izolimit të vendit. Ju dëshiroj suksese të gjithë qytetarëve”, tha shkurtimisht ai.

Pas Hoxhajt, radha ishte e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj.

Haradinaj i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Anita ka votuar në këtë qendër votimi.

”E ushtruam të drejtën tonë për të votuar, i lust ë gjithë qytetarët që të votojnë. Na presin shumë sfida përballja me Serbinë, situata me pandeminë, ju lutem votoni të gjithë”, ka thënë ai.

Menjëherë pas tij, ishte kandidati i LDK-së për kryeministër I cili ushtroi të drejtën e tij kushtetuese për të votuar.

Hoti ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij me të cilën së bashku kanë kryer obligimin e tyre si qytetarë të shtetit të Kosovës.

“Ne e kemi kryer obligimin tonë. Ftojë qytetarët që kanë të drejtën e tyre për të votuar. Sot është dita e tyre. Falënderojë të gjithë stafin e mbarëvajtjes së procesit të zgjedhjeve. Pres që të kemi një proces të rregullt të standardeve evropiane”, ka thënë Hoti.

Pak minuta më pas nga Fakulteti Juridik, të drejtën e votës e ushtroi edhe kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në këtë qendër të votimit Kurti ka qenë i shoqëruar nga gruaja e tij.

Para mediave ai u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin për të votuar.

“Sot është ditë e bardhë, e ndritshme, ashtu siç do të jetë edhe e ardhmja jonë. Qytetarët kanë nevojë për demokraci. Sot kjo nevojë është edhe e drejtë. Është një mundësi që duhet përdorur. Kosova si shtet i pavarur, i kthehet këtë të dielë qytetarëve”, tha ndër të tjera Kurti

Pas Kurti, por nga një qendër tjetër, ishte bashkëpartiakja e Kurti, njëherësh edhe e nominuar nga partia për presidente Vjosa Osmani e cila ka hedhur votën e saj.

Osmani ishte e shoqëruar nga burri i saj, Prindoni dhe dy vajzat e tyre.

“Sot është një ditë e bardhë për Kosovën, është një ditë kur të gjithë qytetarët tanë do ta përcaktojnë të ardhmen e tyre, do ta përcaktojnë fatin e vendit dhe individual. Është një ditë e ftohtë por ftoj të gjithë qytetarët të votojnë, ftesë e veçantë për të gjitha vajzat dhe gratë”, ka thënë ajo.

“Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë mërgatën tonë, që kanë bërë një sakrificë të madhe duke ardhë e duke marrë pjesë në votime përmes postës”, ka thënë e njejta.

Ndryshe, të drejtën e votës ende nuk e kanë shfrytëzuar kryetari I Nismas Fatmir Limaj e as lideri i AKR-së Behgjet Pacolli.

Kujtojmë se qendrat e votimit në Kosovë janë hapur në orën 07:00 dhe mbyllen zyrtarisht në orën 19:00