Deklaratat e Ramës në Kosovë: Ambasadorja e Merkelit thotë se ndryshimi i kufijve nuk është zgjidhje
Në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama nga Kosova për Serbinë dhe Bashkimin Evropian reagoi edhe ambasadorja gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz. Rama gjatë vizitës në Kosovë tha se BE po shfaqet me dy fytyra ndaj Kosovës, ndërsa nga ana tjetër, sipas tij, Brukseli po përkëdhel Beogradin.
Ndërsa ambasadorja gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz, nga Korça ku ishte e pranishme në një vizitë dhe takim me kryetarin e Bashkisë, Sotiraq Filo, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë dialogun me njëra-tjetrën në mënyrë që t’i hapin rrugë integrimit.
“Ne kemi thënë si Gjermani që 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë për anëtarësimin në BE, kjo vlen edhe për Kosovën e Serbinë por është e rëndësishme që këto dy vende të bëjnë progres për normalizimin e dialogut mes tyre dhe në këtë kontekst shpresoj që diferencat mes këtyre dy vendeve të përballohen.
Qeveria federale gjermane dhe vetë Kancelarja gjermane ka thënë që një ndryshim i kufijve nuk do të çonte në një zgjidhje.“-u shpreh ambasadorja gjermane Schütz.