Deklarata shokuese e Baggio pas vdekjes së Viallit: Hetoni, në atë kohë kishte doping

Kur kanë kaluar vetëm disa ditë nga ndarja nga jeta e legjendës së futbollit italian, Gianluca Vialli si pasojë e një sëmundje të keqe në pankreas, një deklaratë shokuese vjen nga ish-lojtari Dino Baggio.

Ky i fundit, shok skuadre me Viallin te Juventus në vitet 1992-1994 thekson se duhet të ketë një hetim në lidhje me substancat që lojtarët konsumonin në atë kohë, teksa shton se edhe vetë ka frikë se mund t’i shfaqet një sëmundje e keqe.

“Duhet të ketë një hetim në lidhje me substancat që kemi përdorur në atë kohë. Dopingu ka qenë gjithnjë prezent dhe tashmë duhet kuptuar nëse disa substanca kanë ndikuar për keq në shëndet gjatë kësaj kohe që ka kaluar. Edhe unë jam i frikësuar, pasi këto sëmundjet e keqe po i ndodhin në masë ish-lojtarëve

Duhet të shohim dhe analizojmë se çfarë kemi konsumuar në atë kohë. Unë nuk kam konsumuar asnjëherë substanca të dyshimta, por duhet parë nëse gjëra të tjera që kemi konsumuar kanë ndikuar për keq apo jo”, u shpreh Baggio.