Pavarësisht se sot VV tentoi ta arsyetojë mosvotimin e nënkryetarëve me faktin se propozimi i Listës Serbe ishte bërë “në emër të popullit serb”, tash po del arsyeja tjetër pse nuk po votohet.
Kjo arsye bie në pikëpyetje edhe për faktin se në vitin 2021, me një propozim të tillë nga Lista Serbe, deputetët e VV-së kishin votuar pro.
Tash, Dejona Mihali e ka bërë të qartë se VV nuk po dëshiron t’i votojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit.
“Pse duhet që 62 deputetë ta votojnë kandidaten e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit, kur PDK-ja deklaron se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjen e Presidentit në asnjë formë, as në bisedime, as në takime, as me prani në sallë?”, ka shkruar Mihali.
Ajo të njëjtën pyetje e ka bërë edhe për LDK-në.
“E njëjta pyetje vlen edhe për LDK-në, pse duhet që 62 deputetë ta votojnë kandidatin e saj për nënkryetar, kur ai është pozicionuar haptazi kundër çdo marrëveshjeje me Lëvizjen VETËVENDOSJE! për zgjidhjen e ngërçit dhe zgjedhjen e Presidentit?”, ka shkruar ajo.
Sipas Mihalit, nuk mund të kërkohen votat e shumicës për postet e nënkryetarëve, ndërsa refuzohet bashkëpunimi për zgjedhjen e Presidentit.
“Nëse kërkojnë marrëveshje e votë për nënkryetarët e Kuvendit, duhet të pranojnë marrëveshje për funksionimin e institucioneve në tërësi”, ka shkruar Mihali.
“Sepse nuk mund të ketë marrëveshje vetëm për postet e tyre dhe bllokadë për institucionet e Republikës siç është Presidenti dhe zgjedhje të përsëritura për qytetarët”, ka përfunduar ajo.







