Zhvillimet në veri

“Dëgjuam fjalë të zbrazëta nga Vuçiqi – radhën e ka BeH”: Mediumi serb me një analizë për ngjarjet në Kosovë

Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës kanë marrë vëmendjen edhe të mediave në Serbi, sidomos rreth faktit se atje, siç thuhet, shkaktuan ankth dhe shumë pyetje që mbeten ende pa përgjigje.

Dhe njëra prej pyetjeve, siç shkruan mediumi serb Danas, përcjell Telegrafi, është se: a mund të përhapet konflikti nga Kosova në të gjithë rajonin?

Ndryshe, një polic i Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur në Banjska mëngjesin e së dielës.

Jo shumë kohë më vonë, anëtarët e grupit që kryen një sulm terrorist, u strehuan në manastirin e Banjskës dhe në konflikt me organet e rendit nga Kosova janë vrarë katër sulmues.

Pas kësaj, mediumi në fjalë ka ngritur disa çështje:

Nuk ka informacion të mjaftueshëm

Sipas Danas, qytetarëve të Serbisë iu mungonte informimi i saktë dhe me kohë gjatë gjithë ditës.

Kështu, vë në pah ky medium, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë gjithë kohës iu drejtua qytetarëve të Kosovës, ndërsa qytetarët e Serbisë e prisnin fjalimin e jashtëzakonshëm të presidentit Aleksandar Vuçiq të planifikuar për të dielën në orën 20.00.

Dhe Nemanja Millosheviq, kryetar i organizatës politike Glas dhe magjistër i shkencave politike, ka thënë për Danas se nga Vuçiq janë dëgjuar vetëm thënie boshe që “kemi dëgjuar për më shumë se një dekadë”.

“Nuk kemi informacion të saktë nga shërbimet përkatëse. Shërbimet që duhet të kenë raport nga terreni. Nuk kemi zbuluar asgjë konkrete dhe kam frikë se nuk do ta zbulojmë kurrë. Kjo tregon se ekziston një problem në vetë zinxhirin e sigurisë, jo vetëm në informimin e ndërsjellë dhe shkëmbimin e informacionit, por edhe në atë se çfarë bëhet nga kush brenda atij zinxhiri sigurie dhe sa mirë është i informuar secili nivel i udhëheqjes shtetërore për veprime të caktuara“, ka theksuar Millosheviq.

“Pra, kemi pasur një situatë që e gjithë ngjarja ka përfunduar duke mos pasur një pasqyrë të qartë se kush janë këta persona, ku kanë shkuar, si kanë shkuar, në çfarë mënyre… këto janë disa pyetje që mbeten pa përgjigje”.

A i përshtatet Rusisë konflikti në Ballkan?

Prej kohësh është raportuar në media se Rusia ka interes të provokojë konflikte në Ballkanin Perëndimor me qëllim që të largojë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga lufta në Ukrainë, shkruan më tej Danas, përcjell Telegrafi.

I pyetur nëse është e lehtë të shkaktohet një konflikt në Kosovë, Millosheviq është përgjigjur: “Konflikti nuk mund të ndodhë kaq lehtë”.

Madje, sipas tij, ajo që pamë të dielën, është maksimumi i diçkaje që mund të ndodhë.

“Nuk jam më e sigurt se nuk kemi 30 budallenj në BeH, të cilët janë gati për gjakderdhje të re”

Në disa prej informacioneve, ka pasur edhe komente nga disa analistë ushtarakë në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilët si objektiv i pikave të nxehta të mundshme, si ai në Kosovë fundjavën e kaluar, kanë përmendur BeH, ka thënë Tanja Topiq, një analiste politike nga Bosnja dhe Hercegovina.

Ajo thotë se madje “sipas tyre” ishte pothuajse e sigurt se BeH ishte e radhës.

“Për një kohë të gjatë, thuajse me naivitet dhe mjaft besim theksova se është e pamundur të ndodhë një konflikt i ri në Bosnje dhe Hercegovinë, një konflikt, e kam fjalën për një konflikt të armatosur… Pas pamjeve nga Kosova, nuk jam më i sigurt se nuk kemi 30 budallenj në BeH, të cilët janë gati për gjakderdhje të re”, citohet të ketë thënë ndër tjerash Topiq.