Mesfushori holandez

De Jong zbulon se refuzoi Manchester Cityn dhe PSG-në për t’u transferuar te Barcelona

Frenkie De Jong ka pranuar se është takuar me drejtues të Manchester Cityt dhe Paris Saint Germainit para se të arrinte marrëveshje për t’u transferuar te Barcelona.

Barcelona njoftoi mbrëmë se ka arritur ta transferojë mesfushorin holandez nga Ajaxi për shumën e 75 milionë eurove, me 21 vjeçarin që do të mbetet në Amsterdam për pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa ka nënshkruar kontratë 5 vjeçare me klubin katalanas.

“Jam i lumtur, krenar dhe disi i lehtësuar pasi që gjithçka mbaroi. Kam folur me PSG-në. Unë e telefonova Maxwellin që t’i them se se nuk do t’i bashkohem PSG-së dhe të njëjtën gjë e bëri edhe agjenti im. Gjithashtu kam folur edhe me Guardiolën për transferimin te Manchester City. Kur klubet të duan mundohen që të bindin me të gjitha mënyrat. Jam i lumtur që kishin interesim kaq të madh. Barcelona më ka kërkuar për një kohë të gjatë, edhe sezonin e kaluar tentuan të më transferojnë. Pastaj edhe ana financiare u plotësua dhe u realizua transferimi”, tregoi De Jong.

De Jong i ka ndihmuar Ajaxit të kualifikohet për në fazën me eliminim direkt të Champions League, atje ku gjigandi holandez pret kampionin në fuqi, Real Madridin.

Talenti holandez ka realizuar 3 gola dhe ka dhënë 3 asiste të tjera në këtë edicion të Eredivisie, gjersa pas Jeison Murillos dhe Kevin-Prince Boateng, bëhet transferimi i tretë i Barcelonës gjatë muajit janar.