Momente

De Gea: Ne varemi nga momentet brilante të sulmuesve

Portieri i Manchester Unitedit, David de Gea, ka thënë se ai nuk është duke kaluar sezonin me të mirë të mundshëm me skuadrën e tij si dhe ka thënë se “Djajtë e kuq” duhet ta përmirësojnë çdo aspekt të lojës së tyre për t’u ngritur në tabelë pasi që deri më tani ata po varen nga momentet brilante të sulmuesve të skuadrës.
Skuadra e Jose Mourinhos renditet e 10-ta në tabelën e këtij sezoni të Premierligës, është eliminuar nga Carabao Cup, si dhe e ka humbur ndeshjen e fundit në Ligën e Kampionëve kundër Juventusit në shtëpi, transmeton Gazeta Express.

“Nuk mendoj se ky është sezoni ynë më i mirë. Duhet të jemi realist. Skuadra ka bërë disa paraqitje të mirë, ndërsa disa të tjera nuk kanë qenë edhe aq të mira. Mendoj se disa herë kemi qenë shumë të varur nga momente brilante të lojtarëve tonë të fazës së sulmit”, ka thënë De Gea.

“Ne nuk kemi qenë 100 për qind të mirë në fazën e mbrojtjes. Jemi duke u përmirësuar, por mendoj se duhet të përmirësohemi në të gjitha fazat”.

“Është e vërtetë që duket se ne duhet të pranojmë gol për të marrë reagim nga skuadra, për të sulmuar dhe krijuar raste të mira. Nuk e di pse ndodh kjo gjë. Ne duhet t’i kontrollojmë ndeshjet, të krijojmë raste dhe të përmirësohemi që nga fillimi”.

“Duhet ta përmirësojmë lojën tonë në çdo pjesë të ekipit. Ne duhet ta ngremë kokën, të sigurojmë disa fitore, ta bëjmë një ecuri prej katër apo pesë fitoreve radhazi dhe ta ngremë veten më lart në tabelë”.