Mesfushori i Cityt

De Bruyne nuk ndjen shqetësim nga gara me Liverpoolin

Liverpooli ndodhet në vendin e parë një pikë përpara Manchester Cityt në klasifikimin e Premier League, por Kevin De Buyne siguron se skuadra e Guardiolës është e gatshme për këtë sfidë.

Mesfushori belg mendon se “The Reds” do të vazhdojnë deri në fund të rivalizojnë për titullin kampion, por në të njëjtën kohë nuk është i shqetësuar lidhur me këtë fakt.

Liverpooli u rikthye të jetë lider në Premier League, derisa dy golëshi i Xherdan Shaqirit i solli fitoren me rezultat 3-1, në derbin më të madh në Angli, kundër Manchester Unitedit.

“Nuk e di pse ata nuk arrijnë ta vazhdojnë garën për titull. Mendoj se do të shkojnë deri në fund. Të jem i sinqertë nuk jam i shqetësuar nga ta. Liverpooli do të bëjë punën e tyre, ndërsa ne duhet t’i fitojmë ndeshjet tona dhe të vazhdojmë tutje. Ata do të mundohen të mbajnë hapin me neve dhe anasjelltas. Nuk ka presion”, u shpreh De Bruyne.

Liverpooli është skuadra e vetme në Premier League që nuk e ka provuar shijen e humbjes, ndërsa në anën tjetër kampionët në fuqi u dorëzuan ndaj Chelseat javën e kaluar teksa u mposhtën 2-0 në “Stamford Bridge”.

De Bruyne, i cili u rikthye këtë javë nga lëndimi duke zhvilluar 15 minuta kundër Evertonit, beson se ka ende edhe shumë takime për t’u zhvilluar gjersa 27 vjeçari shpreson që mos të ketë lëndime në skuadër në mënyrë që mos të ndikojë në rrjedhën e kampionatit.