De Bruyne mbetet 5-6 javë jashtë fushave pas lëndimit të ligamenteve

Manchester City ka konfirmuar se ylli i skuadrës Kevin De Bruyne do të mbetet jashtë fushave për 5 deri në 6 javë pas lëndimit që e pësoi në ligamente gjatë ndeshjes së mbrëmshme në EFL Cup kundër Fulhamit.

Mesfushori belg sapo ishte rikthyer nga një tjetër lëndim në ligamente që e mbajti jashtë fushave për dy muaj, ndërsa tashmë është konfirmuar mungesa e tij në derbin e qytetit kundër Unitedit fundjavën e ardhshme kurse është në dyshim për takimin me Chelsean në 8 dhjetor.

“Belgu iu nënshtrua testeve gjatë ditës së premte, nuk nevojitet operacioni por De Bruyne do të jetë jashtë fushave për 5-6 javë”, shruhet në komunikatën e Manchester Cityt.

De Bruyne rrezikon t’i humb edhe ndeshjet e mbetura të Cityt në grupin F të Champions Leagues, me takimin e fundit që zhvillohet me 12 dhjetor ndaj Hoffenheimit.

Ndeshja e parë që Manchester City do të jetë pa shërbimet e 27 vjeçarit, është ajo ndaj Southamptonit të dielën në shtëpi.