Ylli belg

De Bruyne insiston se lodhja nuk qëndron pas lëndimeve të shpeshta

Mesfushori i Manchester Cityt, Kevin De Bruyne beson se i ka lënë prapa problemet me lëndime, gjersa është paraqitur në vetëm 6 ndeshje këtë sezon.

De Bruyne është i bindur se mungesa e fatit ka ndikuar në lëndimet e shpeshta me të cilat 27 vjeçari është përballur gjatë këtij stinori.

Reprezentuesi i Belgjikës zhvilloi 15 minuta në ndeshjen e fundit të Cityt në Premier League ndaj Evertonit, ndërsa kjo ishte paraqitja e parë për të që nga fillimi i nëntorit kur kishte pësuar një lëndim në gju.

Probleme me gju, De Bruyne kishte dhe në fillim të sezonit teksa kishte mbetur jashtë fushave për dy muaj, por ish anëtari i Chelseat ka besim se kjo periudhë negative është lënë prapa gjersa përgatitet për ndeshejen e EFL Cup ndaj Leicester Cityt.

“Ishin dy aksidente lidhur me të cilat nuk kam pasur çfarë të bëjë. Nuk isha i lodhur, mendoj se në përgjithësi njerëzit kanë nevojë për një pushim të mirë gjatë verës, ndonjëherë luajmë për 11 muaj e gjysmë dhe nuk mbetet hapësirë e mjaftueshme për të pushuar. Unë kam pasur një periudhë pauze prej 3 javësh pasi që kisha luajtur për 12 muaj, dhe kjo është një kohë e shkurtër. Jam i lumtur me gjendjen time fizike sepse e di që nuk kam probleme me muskuj. Sezonin e kaluar kam luajtur më shumë se secili dhe kam kaluar Kampionatin Botëror në mënyrë pozitive”, tha De Bruyne.

Manchester City sonte është mysafir i Leicester Cityt në takimin e vlefshëm për EFL Cup, ndërsa pritet të ketë disa minuta edhe për De Bruynen.