De Biazi: Shqipëria, përvoja më e bukur për mua

Ish-trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhani De Biazi, ka folur së fundi për “Il Milanista”, duke pranuar për të disatën herë se ishte shumë pranë stolit të Italisë.

Ai ka folur më shumë për situatën te Milani, duke u shprehur se skema 4-4-2 i jep më shumë ekuilibër skuadrës së Gatuzos, por ka prekur edhe temën e kombëtares italiane: “Milani nuk ka gjetur ekuilibër pas 10 javësh. Skema 4-4-2 ndaj Sampdorias i shkon për shtat Higuainin dhe Kutronen, që me skemat e mëparshme sakrifikoheshin. Mendoj se Italia nuk ka shumë talente kohët e fundit dhe ky është një problem thelbësor.

Kemi lojtarë të mirë, por që nuk kanë përvojë për ta udhëhequr kombëtaren. Italia e Maldinëve, Nestave, Totëve dhe Del Pierove nuk ekziston në këtë moment. Përvoja në stolin e Shqipërisë ishte ndër më të rëndësishmet për mua, pse jo më e rëndësishmja në jetën time profesionale. Kemi bërë diçka që në fillim askush nuk mund ta imagjinonte, shkuam në Euro 2016. Besoj se ka lindur gjithçka nga puna e bërë dhe nga vullneti i lojtarëve. Stoli i Italisë? Kur u zgjodh Ventura, kam qenë shumë afër deri në momentin e fundit për t’u bërë axurr, por gjërat morën rrjedhë tjetër. Ndodhi sepse Federata Shqiptare e Futbollit nuk donte të më lironte, por edhe sepse Ventura ishte zgjedhur. Isha shumë pranë. Tani dua të gjej një mundësi që të më pëlqejë. Kam refuzuar disa oferta që më kanë ardhur, mes tyre edhe kombëtaren e Armenisë”, – ka thënë De Biazi.