De Biasi thotë se nuk është momenti të rinisin stërvitjet

Tema e ditës në futbollin italian është se kur duhet të rinisin stërvitjen ekipet e Serisë A.

Vetëm disa orë pasi asambleja e ligës italiane të futbollit bashkë me shoqatën e futbollistëve profesionistë morën vendimin që futbollistët e të gjitha skuadrave të qëndrojnë pushim deri në datën 4 prill, Napoli komunikoi zyrtarisht se do të dalë në stërvitje mëngjesin e 25 marsit.

Kjo ka hapur debat të madh në Itali, vend që është goditur më së shumti nga koronavirusi dhe numri i të prekurve dhe të vdekurve po rritet në mënyrë drastike nga dita në ditë.

Në lidhje me këtë debat ka dhënë opinionin e tij Gianni De Biasi, ish-trajneri i Shqipërisë, aktualisht në rolin e opinionistit për mediet përtej Adriatikut.

Moment emergjence: E kuptoj që ka ndryshuar mënyra e të jetuarit. Automjetet dhe njerëzit nuk shihen më vërdallë, të paktën jo këtu ku jetoj unë. Ka një vëmendje të shtuar për të zbatuar rregullat dhe uroj që të gjithë t’i zbatojnë. Secili duhet të marrë përgjegjësitë e tij.

Rinisja e stërvitjes: Absolutisht jo! Prioritet është shëndeti i njerëzve. Lojtarët janë njerëz normalë dhe duhet të kenë shumë kujdes bashkë me familjet e tyre. Duhet të shtyhen stërvitjet sa më gjatë të jetë e mundur, derisa gjendja të ndryshojë. Futbollistët mund të stërviten në shtëpi. Ajo që vlen në këtë moment është lufta kundër Koronavirusit dhe duhet ta bëjmë të gjithë si skuadër.

Qasja italiane ndaj Koronavirusit: Italia ishte kombi më serioz në qasjen ndaj Koronavirusit. Ndoshta mund të ndaleshin aktivitetet më herët, por të flasësh më pas është e kotë. Kemi bërë shumë hetime, sepse kemi një sistem shëndetësor të fortë. Shpresoj ta dobësojmë sa më parë virusin.