De Biasi merr drejtimin e Azerbajxhanit

Ish-përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Gianni de Biasi do të marr drejtimin e Azerbajxhanit. Këtë e ka bërë të ditur të premten faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Azerbajxhanit.

“Një marrëveshje pritet të nënshkruhet me Gianni de Biasin, për emërim të tij në postin e përzgjedhësit të Azerbajxhanit, nëse ai pajtohet me kushtet e federatës. Negociatat do të vazhdojnë për të kompletuar marrëveshjen”, thuhet në njoftim.

Italiani De Biasi (64), ka drejtuar Shqipërinë nga viti 2011 deri në vitin 2017. Vlerësohet përzgjedhësi më i mirë që ka pasur Shqipëria. Ka dërguar kuqezinjtë në “Euro 2016”, ngjarjen e parë dhe të vetme të madhe ku ka garuar Shqipëria. Ai në vitin 2017 kishte një përvojë të shkurtër te Alavesi, ndërsa prej atëherë është pa angazhman.

Me Azerbajxhanin është përballur Kosova dy herë në Ligën e Kombeve. Në Baku rezultati ishte i barabartë, 0:0, kurse më 20 nëntor të vitit 2018 në Prishtinë, Kosova fitoi 4:0.