Pas derbit

David Luiz godet Mourinhon: United nuk luajti futboll

David Luiz shprehet se Chelsea ishte ekipi i vetëm në fushë që mundohej të luante futboll gjatë pjesës së parë të barazimit 2-2 ndaj Manchester United.

Qendërmbrojtësi brazilian, i cili ka luajtur nën drejtimin e Jose Mourinho-s kur portugezi ishte te Chelsea, nuk ka nguruar të kritikojë ish-trajnerin e tij pas ndeshjes.

“Ne u munduam të fitonim që nga minuta e parë,” shprehet mbrojtësi brazilian për faqen zyrtare të Chelsea-t.

“Ne kontrolluam ndeshjen, u munduam të krijonim hapësira për të shënuar disa gola. Ata erdhën me planin vetëm për të mbrojtur dhe të luajnë me kundërsulm”.

“Mendoj se në pjesën e parë ishim vetëm ne që luajtëm futboll. Mund të kishim vrarë ndeshjen duke shënuar edhe një gol tjetër, por nuk është asnjëherë e lehtë të fitosh në Premier League, sidomos ndaj një kundërshtari të madh”.

“Kjo u dha mundësinë atyre të dilnin përpara dhe gjetën golin e barazimit me shumë fat. Pas golit ata fituan vetëbesim, dhe ishte një ndeshje e madhe”.

“Por ne nuk i humbëm shpresat edhe pas golit të dytë të United. Bëmë një ndeshje të madhe dhe u shpërblyem në fund.”