Daut Haradinaj: Taksa u vendos pas agresionit politik dhe ekonomik që Serbia bënte ndaj Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së në fjalimin e tij në seancën e jashtëzakonshme të thirrur lidhur me heqjën e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, ka thënë se para tre vitesh, Kosova po përballej me një trysni të madhe nga Serbia,

Ai tha se u i udhëhequr nga Mogherini vetëm sa po e favorizonte palën serbe, ndërsa liderëve tanë ajo ju dhuronte buzëqeshje e lavdata.

Degradimi i shtetësinë sonë ishte bërë si diçka normale.

“Vendosja e taksës 100% kundrejt produkteve Serbe dhe atyre të Bosnjës nuk ishte e rastësishme  e për më tepër ishte masë ndëshkuese ndaj një Serbie e cila nuk po e ndalte agresionin politik me kampanja kundër Republikës së Kosovës, edhe pse në marrëveshjet deriatëherëshme mes Kosovës dhe Serbisë ishte premtuar që shteti Serb nuk do të ndërhynte në anëtarësimin e Kosovës nëpër organizata botërore. Taksa goditi Serbinë ekonomikisht si fillim, ku tashmë dhe dihen dëmet ekonomike vjetore, por edhe e uli rolin e saj dominues nëpër tavolina marrëveshjesh. Kujtojmë UNESCON, bllokimin në INTERPOL, shfrytëzimin e çdo mënyre për të ndaluar njohjet e reja për Kosovën”, tha Haradinaj.

Ai ka shtuar se edhe faktin që Serbia asnjëherë të vetme nuk ju përmbajt asnjë marrëveshjeje bilaterale me Kosovën, duke fyer kështu edhe palen e tretë ndërmjetësuese ndërkombëtare e duke e dëmtuar shtetin tonë.

“Kjo masë ndëshkuese është vendosur kundër Serbisë dhe asnjëherë kundër Perëndimit dhe aleatëve tonë të përjetshëm. Atyre që ndihmuan në konsolidimin e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran dhe që padyshim e duan një Kosovë të fortë dhe vendimarrëse e jo një Kosovë që ka nevojë për paterica gjithmonë”, tha Haradinaj.

Sipas tij, me vendosjen e taksës, shteti ynë do rikthehej fuqishëm në tavolinë, si shtet që ka kurriz dhe zot shtëpie, në një pozitë të barabartë me shtetet pretenduese për  e arritje të një marrëveshjeje finale.