Daut Haradinaj: Mbi 13 mijë fidane do të mbjellen në Arbëri, në shenjë kujtimi për ata që humbën jetën në luftën e fundit

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj do nderojë të rënët e luftës me mbjelljen e mbi 13 mijë fidaneve në parkun Liria në lagjen Arbëria të kryeqytetit.

Ai ka thënë se në shenjë kujtimi për qytetarët që humbën jetën në luftën e fundit në Kosovë do mbjellen 13 mijë fidanë në parkun Liria në Arbëri, ish-Dragodan.

“E kemi paraparë që në secilën prej këtyre pemëve këtu, do të jetë një shenjë dëshmuese për secilin emër të qytetarëve tonë të cilët e kanë humbë jetën në luftën e fundit, në vitin 1998-99’”, ka thënë Haradinaj në një video të shpërndarë në Facebook.

Ai ka vizituar parkun Liria ku ka thënë se parqet tona dhe gjelbërimi janë mushkërinjtë e kryeqytetit dhe se sa shumë që ka përkujdesje për ato, përkujdesemi edhe për vete.