Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka zhvilluar sonte një takim me banorët e fshatit Bec, së bashku me kandidatët nga Gjakova në listën e Aleancës.
Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj theksoi rëndësinë historike të këtij fshati, duke e cilësuar Becin si një zonë që ka lindur burra dhe gra të qëndresës dhe që ka dhënë kontribut të madh në ditët më të vështira të luftës.
Ai u shpreh se banorët e Becit nuk kanë kursyer asgjë kur ishte në pyetje atdheu dhe se kjo energji e qëndresës ndihej edhe në takimin e mbajtur sonte me qytetarët.
Sipas Haradinajt, është koha që Kosova të rreshtohet edhe njëherë aty ku duhet, krah shteteve të zhvilluara dhe të integruara, duke theksuar se me këtë energji dhe me këta njerëz, rruga drejt fitores është e sigurt.
“Aleanca është dhe do të mbetet krah Becit, krah Gjakovës, krah Kosovës,” u shpreh Haradinaj.
Takimi u zhvillua në kuadër të fushatës zgjedhore, ku Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po vazhdon takimet me qytetarë në të gjithë vendin.







